Maqedoni

Takimi Mucunski – Fidan, investimet turke dhe bashkëpunimi, tema kyçe

05.09.2024 17:36

Bashkëpunimi mes Turqisë dhe Maqedonisë së Veriut, sfidat rajonale...

Bashkëpunimi mes Turqisë dhe Maqedonisë së Veriut, sfidat rajonale, por edhe zhvillimet në skenën ndërkombëtare, në fokus të takimit mes ministrit të Jashtëm turk, Hakan Fidan, dhe homologut të tij në vendin tonë, Timço Mucunski.
 
Nga takimi është siguruar vazhdimi i raporteve të mira, sidomos bashkëpunimi ekonomik, por edhe në sferat tjera. Turqia është miku ynë i dëshmuar dhe aleati ynë i NATO-s, tha nikoqiri i takimit, Mucunski. 
 
“Patëm biseda konstruktive ku së bashku u shqyrtuan mundësitë për avancimin e raporteve në të gjitha sferat me interes të përbashkët, me theks të veçantë, në bashkëpunimin ekonomik dhe mundësinë e thellimit të kësaj fushe, si në aspektin e jashtëm tregtar ashtu edhe në drejtim të investimeve. Raportet e mira tradicionale mes dy vendeve ndikojnë pozitivisht në përforcimin e bashkëpunimit ekonomik.”, - deklaroi ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski.
 
Turqia synon të dyfishojë investimin ekonomik në Maqedoninë e Veriut  nëpërmjet kompanive turke, potencoi ministri, Hakan Fidan.
 
Mes dy kryediplomatëve janë diskutuar edhe sfidat e Ballkanit Perëndimor, që sipas ministrit turk janë probleme të trashëguara e që kërkojnë zgjidhje paqësore dhe dialog, angazhim vetanak, pa pritur vetëm ndihmë ndërkombëtare, duke u ndalur në sfidat e Bosnjës dhe Hercegovinës dhe dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit. 
 
“Duam ta ngremë këtë bashkëpunim në nivel të raporteve tona politike. Aspektin dypalësh tregtar planifikojmë ta rritim në 2 miliardë dollarë. Me kolegun tim të çmuar biseduam për hapat që mund t’i ndërmarrim. Për së afërmi i ndjekim për zhvillim në Maqedoninë e Veriut dhe besojmë që në periudhën e re do të rritet zhvillimi. Kompanitë turke do të japin kontribut të rëndësishëm.”, - theksoi ministri i Jashtëm i Turqisë, Hakan Fidan. 
 
Ministri i Jashtëm turk, Fidan, përmendi edhe avancimin e të drejtave të komunitetit turk që jetojnë në vendin tonë, i cili pret që kërkesat e tyre të arrijnë në vesh të Qeverisë. Nga pushteti aktual pret përkrahje në  luftimin e organizatës FETO.
 
Ministri i Jashtëm, Fidan, u qas edhe në skenën ndërkombëtare. Lidhur me sulmet e vazhdueshme të Izraelit në Gazë, tha se përgjegjësi kryesor për gjenocidin që po ndodh në enklavën palestineze është vetë kryeministri izraelit, Benjamin Netanjahu. Gjatë qëndrimit të  tij në vendin tonë, Fidan ka takuar edhe kreun e Qeverisë dhe Kuvendit.
 
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU