Botë

Sulm në një shkollë në ShBA, 4 të vrarë dhe 8 të plagosur, motivet nuk dihen

05.09.2024 18:31

Të qara në oborrin e shkollës “Vinder” në Gjeorgji...

Kanë ndezur qirinj e po vendosin lule pranë varrit të viktimave të vrarë nga 14-vjeçari, Kollt Grej, i cili të mërkurën mbrëma me armë zjarri vrau dy nxënës dhe dy arsimtarë, ndërsa la të plagosur edhe 9 të tjerë.
 
“Unë po dilja për të marrë ujë dhe dëgjova të shtëna, u ktheva me vrap në klasë dhe thashë se ishte një sulmues. E mbylla derën dhe i fika dritat dhe ne vetëm prisnim. Jam ende në shok!”, - tha një nxënës.
 
“Dëgjova dy të shtëna.”, - tha një nxënës tjetër.
 
“Mendova se ishte vetëm një zhurmë e fortë dhe ndoshta dikush po bënte zhurmë. Dhe më pas ranë edhe tre të shtëna të tjera dhe pastaj të gjithë vrapuam për t'u mbrojtur.”, - u shpreh një nxënës.
 
I dyshuari Grej është i njohur për autoritetet nga më parë. Vitin e kaluar, pas një informacioni nga FBI, ai u mor në pyetje për shkak të kërcënimeve anonime në internet, por u konstatua se nuk kishte asnjë arsye për arrestimin e tij. Nga Shtëpia e Bardhë theksuan nevojën për kontroll më të madh të armëve.
 
“Përgjigja është legjislacioni. Ne duhet të kemi ligje, më shumë ligje, ligje plotësuese, për të qenë në gjendje të mbrojmë komunitetet, për t'u siguruar që po bëjmë gjithçka që mundemi për t'i mbajtur të sigurta.”, - deklaroi zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karin Zhan-Pjer. 
 
Arsyet e sulmit nuk dihen ende.
 
“Ne po bëjmë gjithçka për të përcaktuar nëse ka kërcënime aktive ndaj shkollave në këtë zonë dhe do të vazhdojmë ta monitorojmë këtë gjatë gjithë këtij hetimi.”, - theksoi drejtori i Byrosë për hetim në Gjeorgji, Kris Hosej.
 
I dyshuari ndodhet në paraburgim, edhe pse ai është 14-vjeçar do të  gjykohet si i rritur.
 
ARMEND MURSELI