Botë

Kurti takon kryetarin e Mitrovicës së Veriut, Britania: Shmangni udhëtimet në veri

05.09.2024 19:07

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, së bashku me ministrin për Komunitete dhe Kthim...

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, së bashku me ministrin për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq dhe ministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, kanë realizuar një mëngjes pune me kryetarin e komunës së Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq, nënkryetaren, Katarina Adançiq dhe drejtues të drejtorive komunale të kësaj komune.Siç njoftojnë nga Qeveria e Kosovës, temat qendrore ishin qeverisja komunale, arritjet dhe sfidat, si dhe bashkëpunimi me nivelin qendror.
 
Kryeministri Kurti ka përgëzuar drejtuesit dhe stafin e Komunës së Mitrovicës së Veriut për punën dhe përmirësimin e shërbimeve për qytetarët, pa dallim, për përbërjen multietnike të kabinetit qeverisës dhe për bashkëpunimin e mirë e profesional me ministritë dhe zyrën e kryeministrit në realizimin e projekteve në interes të komunës.
 
“Kurti i ofroi kryetarit Atiq dhe nënkryetares Adançiq,  mbështetjen e plotë të tij edhe të ministrive të linjës në adresimin e kërkesave dhe propozimeve të tyre që për qëllim kanë zhvillimin ekonomik e social të komunës së Mitrovicës së Veriut dhe rritjen në cilësi dhe efikasitet të shërbimeve ndaj qytetarëve.”,- thuhet në njoftimin e Qeverisë.
 
Ndërkohë autoritetet e Kosovës kanë konfirmuar se do të intervistohen pesë persona nga pesë institucionet paralele serbe, që u mbyllën në fund të gushtit. Por, Lista serbe thotë se institucionet paralele nuk kanë shkelur ligjin, prandaj ftesat për intervistim në polici i shohin si “përndjekje politike”.
 
Ministria kosovare e Punëve të Jashtme dhe Diasporës u ka bërë thirrje të mërkurën vonë shtetasve të Kosovës dhe mërgatës kosovare që t’i shmangin pikëkalimet kufitare mes Kosovës dhe Serbisë gjatë udhëtimeve të tyre transit, për shkak të paralajmërimeve për bllokimin e rrugëve në Serbi që çojnë drejt vendkalimeve kufitare me Kosovën më 6 shtator.
 
Edhe Mbretëria e Bashkuar u ka bërë thirrje qytetarëve të saj që të shmangin udhëtimet në veri të Kosovës, përkatësisht në komunat e Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit dhe në zonat e Mitrovicës në veri të lumit Ibër.
 
Në njoftimin e lëshuar nga zyra e jashtme e Mbretërisë së Bashkuar bëhet e ditur se Britania e ka vendosur veriun e Kosovës në pjesën e destinacioneve ku nuk rekomandohet të udhëtohet, nëse nuk është e domosdoshme.
 
GYLTENE SINANI