Botë
Lajçaku në Prishtinë, dakordohet takimi i radhës në Bruksel
06.09.2024 14:14
I dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka takuar në Prishtinë zëvendëskryeministrin e Kosovës....

I dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka takuar në Prishtinë zëvendëskryeministrin e Kosovës, Besnik Bislimin, me të cilin janë dakorduar për takimin e radhës në Bruksel. Këtë e ka bërë të ditur Lajçaku pas takimit, por nuk ka dhënë detaje se kur do të mbahet takimi trepalësh në Bruksel. Në takim u diskutua edhe për hapjen e Urës së Ibrit, tha Lajçaku.
“Biseduam se sa progres është arritur nga takimet e fundit. Diskutuam çështjen e Urës së Ibrit dhe hapjen e saj për transport. Qëndrimi i BE-së është i mirënjohur, duhet të hapet, por hapja duhet të bëhet në bashkëpunim të ngushtë me partnerët ndërkombëtar të Kosovës.”, - deklaroi i dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.
Ndërmjetësi Lajçaku, po ashtu bëri të ditur se Serbia ka tërhequr letrën e ish-kryeministres Ana Bërnabiq, përmes së cilës Serbia tërhiqej nga Marrëveshja e Brukselit.
“Marrëveshja e Ohrit është ligjërisht obligative në tërësinë e saj dhe jemi duke punuar në implementim. Asnjëra palë nuk është tërhequr nga kjo marrëveshje dhe kemi diskutuar edhe me Kosovën, edhe me Serbinë se si ta përshpejtojmë zbatimin. Letra (e ish-kryeministres, Ana Bërnabiq) është tërhequr. Ka deklarata këtu, atje që nuk ndihmojnë fare. Por, marrëveshja si e tillë është e vlefshme në tërësinë e saj dhe përtej kësaj, marrëveshja tashmë është bërë pjesë e rrugës evropiane të Kosovës dhe Serbisë.”, - theksoi i dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.
Bislimi: Ura e Ibrit duhet të hapet pa vonesë
Nga ana tjetër, zëvendëskryeministri Bislimi ka thënë se Ura e Ibrit duhet të hapet pa vonesa dhe pa pengesa të mëtejme, ashtu siç është rënë dakord në Bruksel. Zëvendëskryeministri Bislimi theksoi se hapja e urës kryesore të Mitrovicës mbi Ibër është çështje e trajtuar dhe dakorduar në Bruksel, në kuadër të procesit të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian dhe se ajo duhet të hapet sipas marrëveshjes ekzistuese dhe konkluzioneve të vet raportit të Komisionit Evropian të vitit 2020, që vlerëson se punimet në urë kanë përfunduar dhe ajo duhet të hapet pa vonesa dhe pa pengesa të mëtejme.
GYLTENE SINANI
