Botë

Fidan: Kosovarët janë miqtë dhe vëllezërit e turqve

06.09.2024 14:35

Ministri turk i Punëve të Jashtme, Hakan Fidan, ka qëndruar për vizitë në Prishtinë...

Ministri turk i Punëve të Jashtme, Hakan Fidan, ka qëndruar për vizitë në Prishtinë, ku ka shprehur mbështetjen e pa rezervë të shtetit turk për Republikën e Kosovës. Fidan ka folur edhe për Marrëveshjen e sigurisë ndërmjet Republikës së Turqisë dhe Republikës së Kosovës, si dhe përforcimin e bashkëpunimit ekonomik.
 
“Kosovarët nuk janë vetëm miqtë tanë, por janë edhe vëllezërit dhe motrat tona. Lidhjet e palëkundura mes nesh t’i pasurojmë në marrëdhëniet tona dypalëshe në mënyrë më të mirë të mundshme. Qëllimi ynë është që të sjellim një vizion strategjik gjithëpërfshirës në marrëdhëniet tona. Sigurinë, politikën, ekonominë i konsiderojmë tri shtyllat kryesore të bashkëpunimit tonë. Dialogu politik tashmë është në një nivel të shkëlqyer. Duke përfituar nga kjo, duke adresuar çështjet tona të sigurisë me një qasje afatgjate, ne tani kemi dëshirë që dialogun ta vendosim në një kuadër institucional. Nënshkrimi i marrëveshjes së sigurisë mes Turqisë dhe Kosovës do të jetë i pari i këtij bashkëpunimi. Së këndejmi do të forcojmë edhe më tutje bashkëpunimin tonë ekonomik.”, - deklaroi ministri i Punëve të Jashtme i Turqisë, Hakan Fidan.
 
Gërvalla: Diskutuam për sigurinë dhe stabilitetin në rajon
 
Edhe ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, tha se një ndër temat kryesore në takimin me homologun turk, Hakan Fidan, ka qenë siguria dhe stabiliteti në rajon.
 
“Ndër temat kryesore që diskutuam ishte edhe siguria dhe stabiliteti në rajon, në një kohë kur rajoni ynë përballet me sfida të mëdha të sigurisë, veçanërisht nga ndikimi destabilizues dhe kërcënues i Serbisë ndaj Kosovës. Roli i Turqisë dhe i NATO-s është i rëndësishëm për paqen dhe stabilitetin në të gjithë rajonin. Kosova mbetet e përkushtuar në partneritetin e saj me NATO-n dhe përforcimin e pranisë në vendin tonë si një garanci për paqen në rajon.”, - theksoi ministrja e Punëve të Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla.
 
Gërvalla njëherit theksoi se komuniteti i madh shqiptar në Turqi luan një rol kyç në forcimin e lidhjeve mes dy vendeve. 
 
SANIJE DURAKU