Maqedoni

Komisioni për Financa dhe Buxhet, propozim-ligji për lojërat e fatit, i papranueshëm

06.09.2024 15:55

Me nëntë vota “pro”, dy “kundër” dhe asnjë abstenim, Komisioni Parlamentar për Financim dhe Buxhet...

Me nëntë vota “pro”, dy “kundër” dhe asnjë abstenim, Komisioni Parlamentar për Financim dhe Buxhet, solli vendim se Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për lojërat e fatit dhe lojërat zbavitëse në lexim të parë i dorëzuar nga deputetët e "Frontit Evropian" nuk është i pranueshëm dhe nuk duhet të lexohet më tej. Deputetja e “Frontit Evropian”, Ilire Dauti, në emër të propozuesve sqaroi se me ndryshimet dhe plotësimin e ligjit, për objektet e lojërave të fatit kërkohet që të kryejnë aktivitetin e tyre vetëm në hotele me pesë yje.
 
“Dua po ashtu ta njoftoj opinionin se bëhet fjalë për ligjin e njëjtë, të cilën në seancën e 12-të, me propozim të njërit prej deputetëve të shumicës parlamentare u largua jashtë çdo rregulli të rregullores nga rendi i ditës, për të cilën ne patëm reagim të ashpër. Kjo veprimtari e cila zhvillohet tanimë në çdo cep të qyteteve dhe vendbanimeve, me ligjet aktuale në Maqedoninë e Veriut nuk ka kufizime, për sa i përket kësaj veprimtarie. Si lokale afariste për kazino, bastore, klub automates dhe tombole të tipit të mbyllur në të cilën organizohen lojërat e fatit, konsiderohen lokalet që janë ekskluzivisht të vendosura në hotele me pesë yje. Me këtë veprimtari mund të merren të gjithë ata afaristë për të cilët do të duhet vendi për organizmin e lojërave të fatit, ta kenë vetëm në hotele me 5 yje.”, - deklaroi deputetja e “Frontit Evropian”, Ilire Dauti. 
 
Por, në këtë kanë reaguar nga koalicioni VLEN, të cilët këtë tentim të deputetëve të Zijadin Selës për dislokimin e kazinove e kanë vetëm farsë politike.
 
“Kur moralistët e rremë përpiqen të shesin ndershmëri, maskat e tyre bien! Derisa deputetët e Ziadin Selës janë të zëshëm në Kuvend për gjoja dislokimin e kazinove, në Bogovinë është kapur në flagrancë dhe arrestuar kryetari i degës së tyre, Safet Miftari, njëherit edhe zëvendësdrejtor i “Pyjeve të Maqedonisë”. Ky është një skandal i paparë, ku një funksionar i lartë i “Frontit Evropian” organizon lojëra të paligjshme onlajn. Ja pse deputetët opozitarë të Ahmetit dhe Selës nuk e mbështetën kërkesën për interpretim autentik të ligjit për lojërat e fatit të propozuar nga VLEN-i, që kishte për qëllim heqjen e lojërave të fatit nga shtëpitë! Sepse ata mbrojnë kuadrot e tyre, të zhytur deri në fyt në marrëveshje kriminale të lidhura me bixhozin.”, thuhet në reagimin e VLEN-it.
 
Sipas kësaj partie, qytetarët duhet të jenë të qetë, sepse interpretimi autentik i ligjit është vetëm hapi i parë i planit të koalicionit VLEN për t’u përballur me pasojat e dëmshme të lojërave të fatit. Sipas tyre, së shpejti do të merremi edhe me krimin e bërë përmes vendimeve të qeverisë së kaluar dhe ish-udhëheqësve të Lotarisë Shtetërore. Brenda një afati të arsyeshëm do të ketë edhe një ligj të ri për lojërat e fatit, me të cilin do të zvogëlohet numri i kazinove për të paktën për gjysmë.
 
FITIM KRYEZIU