Maqedoni

Situata me zjarret, aktualisht 6 zjarre aktive në vend

06.09.2024 16:19

Nga gjithsej 33 zjarre aktive të regjistruara në vend brenda 24 orësh, 27 janë shuar...

Nga gjithsej 33 zjarre aktive të regjistruara në vend brenda 24 orësh, 27 janë shuar, një është vënë nën kontroll dhe 6 të tjerë mbeten aktiv. Vatra aktive ka në fshatin Oraov Doll në komunën e Çashkës, mes fshatrave Brezë, Gradamancë dhe Katllanovë në komunën e Petrovecit, Shtipit, Dollnenit, Çuçer Sandevës, si dhe në territorin e komunës së Prilepit. Ekipet e përbashkëta të zjarrfikësve, armatës, policisë vullnetarëve dhe punonjësve komunal po intervenojnë nga ajri dhe toka fillimisht për t’i lokalizuar dhe më pas për t’i shuar ato në tërësi. 
 
“Ekipet tona të përbashkëta për momentin janë përqendruar në shuarjen e zjarreve prej nga Krushevica në drejtim të fshatit Dunje, Prilepec dhe Sellcë. Ata njëherit po e ruajnë Manastirin “Shën Dimitri” dhe po punojnë për t’i mbajtur nën kontroll edhe zjarret në afërsi të Drenisë - Mollani për të mos u përhapur ato në territorin e Kavadarit. Në terren ndodhen rreth 100 pjesëtarë të ushtrisë, 30 nëpunës policorë, 30 të punësuar të NP “Pyjet e Maqedonisë” dhe shumë vullnetarë, ndërsa janë kyçur edhe dy aeroplanë.”, - deklaroi shefja e Shtabit të Krizës – Prilep, Irena Sterjovska Lokvanec.
 
Në të gjitha këto vende për momentin është duke u djegur bimësi me kërcell të ulët, bar i thatë dhe pyje me pisha. Autoritetet thonë se deri më tani nuk ka rrezik që zjarret të përhapen nëpër vendbanimet. Autoritet shpresojnë se reshjet e paralajmëruara të shiut për këtë fundjavë do të ndihmojnë për t’i shuar të gjitha vatrat aktive në vend. Vendi ynë tashmë tre muaj është i përfshirë nga zjarret masive për çdo ditë. Numër rekord të zjarreve u evidentua gjatë muajit gusht. Pas përfundimit të gjendjes së krizës më 12 shtator, autoritetet e QMK-së kanë bërë të ditur se do të shpallin edhe përllogaritjet, sa i përket dëmeve të shkaktuara nga zjarret masive që kapluan vendin. 
 
REXHEP QAMILI