Maqedoni

Kuvend, shënohet 33-vjetori i pavarësisë

06.09.2024 17:42

Në prag të 8 shtatorit - Ditës së pavarësisë, kryparlamentari, Afrim Gashi...

Në prag të 8 shtatorit - Ditës së pavarësisë, kryparlamentari, Afrim Gashi, ka organizuar pranim për zyrtarët shtetëror dhe korrin diplomatik. Nuk ekziston moment më i rëndësishëm në historinë e një vendi se sa pavarësia theksoi me këtë rast, kryeparlamentari Gashi, duke përcjellë urime për 33-vjetorin e pavarësisë së Maqedonisë së Veriut. 
 
“Unë jam i vetëdijshëm se ndërtimi i këtij shteti të përbashkët nuk ka qenë punë e lehtë dhe jo gjithmonë e pranuar njësoj. Kemi pasur periudha kur dikush nga ne kemi pasur perceptim më ndryshe dhe ndoshta pritshmëri të ndryshme. Kemi pasur momente kur dikush nga ne ka menduar se meriton më shumë, ndërsa ka fituar më pak, kemi pasur momente kur ndoshta kemi qenë edhe të dëshpëruar dhe kemi thënë se nuk ia vlen, por megjithatë kemi gjetur forcën, kemi gjetur zgjidhje dhe kemi krijuar mundësi për të vazhduar më tej. Prandaj, sot kur po e shënojmë këtë përvjetor të shtetësisë tonë mund të konfirmoj se para nesh po hapet perspektivë e re zhvillimore, që vjen me gjeneratën e re të politikanëve dhe unë jam shumë i sigurt se kjo do të rezultojë me sukses të shumanshëm. Për të mos qenë jo falënderues duhet të them se secili ka kontributin e tij për këto të arritura, prandaj nuk duhet të jemi as nihilist e as defetist.”, - deklaroi kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi.