Botë

Gazë, viti i dytë pa shkolla

07.09.2024 13:43

Forcat e Mbrojtjes së Izraelit kumtuan se goditën një qendër komanduese të Hamasit....

Forcat e Mbrojtjes së Izraelit kumtuan se goditën një qendër komanduese të Hamasit të vendosur në një ndërtesë në veri të Gazës që më parë shërbente si shkollë. Sipas autoriteteve izraelite, janë ndërmarrë hapa të shumtë për të reduktuar rrezikun e viktimave civile. Gaza hyn në vitin e dytë shkollor pa shkolla. Universitetet e Gazës janë gjithashtu të rrënuara. Sipas grupit të UNICEF-it, më shumë se 90% e ndërtesave të shkollave janë dëmtuar nga bombardimet izraelite.
 
“Fëmijët e të njëjtës moshë me ne po mësojnë në vende të tjera, ndërsa ne jo, ne po punojmë.”, tha një nxënës i gazës.
 
“Unë jam plagosur në luftë në vitin 2014, kështu që nuk mund të punoj vetëm. Kjo është arsyeja pse unë duhet t'i vë në punë fëmijët e mi, jam i detyruar ta bëj këtë.”, u shpreh një i zhvendosur nga Khan Yunis.
 
“E ardhmja e fëmijëve është e humbur. Nuk ka arsim. Ajo që ata mësuan vitin e kaluar është harruar plotësisht. Nëse kthehen në shkollë, do të duhet të fillojnë nga fillimi.”, tha një i zhvendosur nga Bureage.
 
“Sot nuk ka mësim apo arsim dhe asnjë nga nevojat e jetës nuk është e qasshme në këtë vend dhe në këto kampe.”, u shpreh një person nga Xhabalija.
 
Ndërkohë, Shtëpia e Bardhë i bëri thirrje Izraelit të hetojë vdekjen e një shtetase amerikane me origjinë turke. Dhe Kombet e Bashkuara kanë bërë thirrje për një hetim të plotë. Aysenur Ezgi Eggi, 26 vjeçe, besohet të jetë qëlluar duke marrë pjesë në një protestë kundër zgjerimit të vendbanimeve në qytetin palestinez Beita, në veri të Ramallah në
Bregun Perëndimor. Dënimi i sulmit erdhi edhe nga Ministria e Jashtme turke.
 
“Situata ishte kritike. Ne u përpoqëm ta shpëtonim shtetasen amerikane, u përpoqëm disa herë për ta ringjallur, por fatkeqësisht nuk ia dolëm.”, tha shefi i spitalit Rafidiya, Fouad Nafa. 
 
“Një krim i ri iu shtua rekordit të krimeve të qeverisë okupuese.”, tha guvernatori i Nablus, Gasan Daglas.
 
Tensionet në Bregun Perëndimor janë përshkallëzuar, veçanërisht që nga fillimi i luftës më 7 tetor në Rripin e Gazës. Departamenti Amerikan i Drejtësisë ka paditur një shtetas pakistanez 20-vjeçar, i dyshuar për planifikimin e një sulmi terrorist në Nju Jork në përvjetorin e sulmit të Hamasit palestinez në Izrael më 7 tetor.
 
VLORA LATIFI TOPOJANI