Maqedoni

RMV shënon 33 vjetorin e pavarësisë

08.09.2024 11:19

Maqedonia e Veriut sot shënon 33-vjetorin e pavarësisë së saj nga ish-Federata jugosllave...

Maqedonia e Veriut sot shënon 33-vjetorin e pavarësisë së saj nga ish-Federata jugosllave, përmes një referendumi popullor, me të cilin u shpall shtet i pavarur dhe sovran.
 
Referendumi u bojkotua nga shqiptarët në Maqedoni, të cilët kërkuan statusin e autonomisë dhe nuk ishin të kënaqur me pozitën e arritur në Kushtetutën e re të këtij vendi.
 
Sipas vlerësimeve shtetërore të asaj kohe, mbi 95 për qind të qytetarëve që dolën në referendumin e 8 shtatorit të vitit 1991, iu përgjigjën pozitivisht pyetjes së referendumit “A jeni për Maqedoni të pavarur me të drejtë të hyjë në fuqi në aleancën e ardhshme të shteteve sovrane të Jugosllavisë”.
 
Qeveria organizon një program solemn me sloganin “Së bashku luftojmë, së bashku do ia dalim!”.
 
Akademia formale do të mbahet në Filarmoninë e Maqedonisë në Shkup, në orën 13:00.
 
Ceremonia do të fillojë me interpretimin e himnit kombëtar të Maqedonisë nga kori i fëmijëve, pas së cilës do të shfaqet videoklipi "Vezilka", i cili përfshin interpretimin origjinal të këngës nga Blazhe Koneski. Programi do të vazhdojë me interpretimin e veprave të autorëve maqedonas lidhur me këtë temë nga orkestra shtetërore e xhazit.
 
Gjatë ceremonisë do të shfaqet një video speciale e përgatitur posaçërisht e festës së pavarësisë, e cila përfshin materiale arkivore nga Referendumi i vitit 1991.
 
Në fund të programit formal fjalim do të mbajë kryetari i Qeverisë, Hristijan Mickoski.