Botë
Zgjedhjet në SHBA, të martën debati i parë Harris - Trump
08.09.2024 14:41
Më 10 shtator në Filadelfia, Pensilvani, do të mbahet debati i parë mes kandidatëve presidencialë..

Më 10 shtator në Filadelfia, Pensilvani, do të mbahet debati i parë mes kandidatëve presidencialë Kamala Harris dhe Donald Trump. Debati do të zgjasë 90 minuta me dy pauza reklamash. Nuk ka fjalë hyrëse dhe ato mbyllëse do të zgjasin dy minuta. Kandidatët për kreun e Shtëpisë së Bardhë do të diskutojnë luftërat në botë, politikën e jashtme, ekonominë e brendshme, migrimin, kontrollin e armëve.
“Një minutë e një debati 90-minutësh mund të ndikojë në mijëra e dhjetëra mijëra vota. Mendoj se aksionet janë të larta për të dy kandidatët. Ndoshta pak më e madhe për Harris, ajo pati një garë të mirë si kandidate për zëvendëspresidente. Njerëzit presin shumë. Për Trump, ky mund të jetë shansi i tij i fundit për të ndryshuar narrativën dhe trajektoren e garës.”, tha Aaron Kahl, ekspert për debatet presidenciale në Universitetin e Miçiganit.
Banorët e Filadelfisë thonë se nuk kanë pritshmëri të mëdha nga kandidatët aktualë.
“Është vërtetë e vështirë për mua që të zgjedh një kandidat apo disa kandidatë për poste të ndryshme që do të bëjnë vërtet gjithçka për popullin.”, u shpreh një banor i Filadelfias.
“Nuk shohim politikanë deri në këtë periudhë të vitit. Pas kësaj, nuk mund t'i gjeni në zyrë. Nuk mund t’i shohësh askund veçse në televizor, duke bërë premtime që nuk kanë ndërmend t’i mbajnë.”, tha një banor i Filadelfias.
Sipas ekspertëve, në epokën dixhitale, debatet i drejtohen audiencës më të vjetër, ndërsa brezat e rinj ndjekin aktivitetet e kandidatëve në rrjetet sociale.
“Demografia e vjetër po i kushton më shumë rëndësi debateve. Më i riu nuk ka aq gjasa të bashkohet dhe të ndjekë debatet. Ata ka të ngjarë të kapin momentet kryesore në rrjetet sociale. Kandidatët nga i gjithë spektri politik e kanë njohur fuqinë dhe dobinë e mediave sociale për të arritur audienca të ndryshme në nivele të ndryshme.”, tha Brandon Boatwright, asistent profesor në Universitetin Clemson.
Analistët thonë se cikli zgjedhor i vitit 2024 është unik, që nga përdorimi i platformave të ndryshme për të promovuar fushatën, lufta kundër dezinformatave, atentati ndaj Trumpit, deri te tërheqja e Xho Bajdenit nga gara zgjedhore.
VLORA LATIFI TOPOJANI
