Maqedoni
“8 Shtatori”, Maqedonia e Veriut shënon 33-vjetorin e pavarësisë
08.09.2024 15:05
Maqedonia e Veriut shënon 33 - vjetorin e pavarësisë së saj nga Ish Federata Jugoslave....

Maqedonia e Veriut shënon 33 - vjetorin e pavarësisë së saj nga Ish Federata Jugoslave, e cila përmes një refendruimi popullor u shpall shtet i pavarur dhe sovran. Në shënimin e ditës së pavarësisë së shtetit, u mbajt manifestimi qendror nën moton “Së bashku luftojmë, së bashku do t’ia dalim”, ku morri pjesë kreu shtetëror.
Kryeministri Hristijan Mickovski tha se gjenerata e sotme, si ajo para tre dekadave është e drejtuar para sfidës më të madhe, për të shënderuar këtë vend, në shtet demokratik dhe funksional, ku do të ketë drejtësi dhe sistem funksional për të gjithë, e ku korrupsioni dhe krimi nuk do të jenë më të fuqishëm se institucionet e vendit.
“Si komb kemi dy synime të mëdha përpara nesh. E para është të fitojmë luftën e zhgënimit të çdo personi që është grumbulluar nga të gjitha disfatat dhe dështimet e më herëshme dhe e dyta është të luftojmë krimin dhe korrupsionin e metastazuar në gjitha poret e shoqerisë. Sot një pjesë e madhe e qytetarëve arsyeshëm janë të zhgënjyer, pasi që ky lloj zhgënjimi është rezultat i shkeljes së vazhdueshme të sistemit dhe lëshimeve që janë bërë në vazhdimësi. U morrën shumë vendime ku qytetarët i përjetuan si humbje personale, andaj një pjesë e tyre u detyruan të largohen nga vendi, ndërsa pjesa tjetër të largohen nga politika.”, u shpreh kryeministri Hristijan Mickovski.
Mickovski njëherit vlerëson se ka ardhur koha për ti shpallur moratorium ideve për konflikte ndëretnike.
“Duhet të distancohemi nga konfliktet etnike dhe njëherit t’i izolojmë elementet të cilët shkaktojnë përcarje ndëretnike. Duhet të vendosim moratorium për temat e prodhuara etnike për të cilën mbrapa tyre qëndron vetëm interesi indivudal. Duhet t'i jepet fund listës së gjatë të dëshirave për të drejta etnike që janë realisht në interesin personal të atyre që i prodhojnë këto tema në kurriz të qytetarëve. Unë jam për të gjetur zgjidhje të qytetarëve, por nuk jam për të gjetur zgjidhje për interesat personale të grupeve të vogla politike, të cilët keqpërdorin vuajtjet kolektive të qytetarëve.”, tha Mickovski.
Edhe presidentja Gordana Siljanovska Davkova u ka uruar 8 Shtatorin të gjithë qytetarëve duke vënë theksin tek vlerat e një shteti demokratik. Kërkoi të lihen anash përçarjet dhe të gjithë të bashkohen rreth të mirës së përbashkët dhe interesit publik.
“Ne qytetarët e Maqedonisë, në mënyrë të mençur, demokratike dhe paqësore, në përputhje me Kartën e Kombeve të Bashkuara, u larguam nga Federata që po shembej dhe hymë në fazën e re të shtetësisë maqedonase. Vetëm me evropianizimin e shtetit, me shtetin ligjor dhe me luftën kundër korrupsionit, me institucione funksionale dhe me një ekonomi konkurruese dhe sistem meritash, do t’u mundësojmë brezave të rinj të realizojnë të drejtën për të kërkuar lumturinë në vend, në atdheun e përbashkët në të cilin do të punojnë, do të krijojnë familje dhe do të krijojnë një të ardhme.”, thuhet në urimin e Siljanovskës.
Referendumit popullor për pavarësi i parapriu Deklarata për Pavarësi, të cilën Parlamenti i parë i Maqedonisë shumëpartiakë e miratoi më 25 janar 1991. Hap i rëndësishëm për shtetin aso kohe ishte edhe miratimi i Kushtetutës së re më 17 nëntor të vitit 1991. Referendumi u bojkotua nga shqiptarët në Maqedoni të cilët nuk ishin të kënaqur me pozitën e arritur në Kushtetutën e re të këtij vendi. Kjo pakënaqësi shpërtheu në konflikt të armatotosur në vitin 2001, pas së cilit u arrit Marrëveshja e Ohrit. Një kornizë dhe frymë relaksoi marrëdhënëniet ndëretnike dhe hapi perspektivën euroatlantike të vendit.
REXHEP QAMILI
