Prishtinë, Thaçi për “Die Presee”: Serbia, peng e së kaluarës me tragjedi
Zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm i Kosovës, Hashim Thaçi, për të përditshmen gjermane “Die Presse” ka komentuar qasjen e Serbisë...

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm i Kosovës, Hashim Thaçi, për të përditshmen gjermane “Die Presse” ka komentuar qasjen e Serbisë për ftesën nga shoqëria civile në Beograd për të marrë pjesë në një konferencë të tyre.
Thaçi ka thënë se ministrat e Qeverisë së Kosovës tanimë kanë qëndruar zyrtarisht në Serbi dhe se zyrtarët më të lartë të Serbisë kanë qëndruar në Kosovë.
“Ka qenë befasi për mua se si ka reaguar Serbia në gatishmërinë që kam shprehur që të vizitojë Beogradin dhe të marrë pjesë në një konferencë rajonale të organizuar nga një organizatë e shoqërisë civile. Kam besuar dhe besoj se kjo do t'i kontribuonte edhe më shumë thellimit të komunikimit mes dy shteteve dhe mes dy popujve, si dhe do të ndihmonte edhe më shumë që të promovohen vlerat evropiane që po bëjnë liderët e tërë rajonit”- ka thënë Thaçi për “Die Presse”.
Edhe më befasues dhe thellësisht zhgënjyes, sipas tij, ka qenë kërcënimi nga autoritetet serbe se kinse do të arrestohet në momentin e parë që do të ketë kontakt me agjentët e organeve të sigurisë të Serbisë.
“Kjo ishte bërë duke u thirrur në një aktgjykim të kohës së Milosheviqit, kur gjykatat janë marrë me politikë e jo me sundim të ligjit”- ka thënë Thaçi.
Në këtë intervistë, e cila është paralajmëruar të dalë nesër në version më të gjatë, Thaçi ka thënë se Kosova, rajoni, por edhe tërë Evropa dëshirojnë të shohin një Serbi që është shkëputur nga koha e Millosheviqit, që është shkëputur nga e kaluara dhe që është kthyer kah e ardhmja, kah vlerat evropiane të bashkëpunimit dhe komunikimit të ndërsjellë.
