Maqedoni
Për 7 vjet 17 mijë nxënës më pak, Raimi: Ikin të rinjtë, bie nataliteti
08.09.2024 15:28
Për shtatë vjet, numri i përgjithshëm i nxënësve në vendin tonë është zvogëluar për gati 17.000...

Për shtatë vjet, numri i përgjithshëm i nxënësve në vendin tonë është zvogëluar për gati 17.000, ndërsa këtë vit ka rreth 3.500 nxënës më pak në klasë të parë. Një trend i tillë është shqetësues thotë sociologu, Sunai Raimi. Sipas tij ka shumë faktor të cilët ndikojnë që nxënësit të braktisin bankat shkollore, ndër të cilat thekson migrimin dhe uljen e natalitetit, transformimin e familjes nga ajo tradicionale në atë boshkohore moderne, e cila siç thotë ndikon që planifikimi i familjes të reduktohet në një ose dy fëmijë.
“Kjo është si refleksion, si pasojë e disa momenteve me të cilat shoqëria jonë bashkëkohore po ballafaqohet. Problem me mbijetesë në këto kushte të vështira ekonomike, me këto fryerje të pandalshme të çmimeve të produkteve bazë të jetës, detyrohen që të kapin rrugë tjera për një jetë më të mirë, që nënkupton migrimin nëpër vendet më të zhvilluara, më të pasura. Arsyeja e parë është kjo sepse prindërit e këtyre fëmijëve po ballafaqohen me këto probleme që i përmenda dhe detyrohen që të i braktisin edhe shtëpitë e tyre e fëmijët e tyre bankat shkollore.”, tha sociologu Sunai Raimi.
Raimi: Fajin më të madh e kanë autoritetet
Për këtë gjendje fajëson institucionet, që sipas tij, duhet të krijojnë kushte që ta mbajnë rininë këtu, por njëkohsisht edhe të stimulojnë familjet e reja financiarisht që të rrisin numrin e fëmijëve.
“Obligimin dhe barrën, përgjegjësinë më të madhe e kanë autoritetet shtetërore, duke filluar nga Ministritë përkatëse, nga Ministria e Punës dhe Politikës Sociale e cila merret me këtë çështje të familjes, sigurimeve, të çështjes së pagave, të çështjes së punësimeve, që mos të ikë rinia, por të mbetet këtu te ne, por pse mos t’i mbështesin edhe familjet e reja, që në njëfar mënyre t’i stimulojnë, që ta rrisin numrin e fëmijëve të tyre në familjet e reja.”, tha Raimi.
Rënia e numrit të nxënësve në shkollat fillore dhe të mesme ka reflektuar që të zvogëlohet edhe numri i studentëve nëpër univeristete. Ndërkohë që edhe ata student të cilët kanë diplomuar janë larguar nga vendi. Shifrat e statistikave tregojnë se të rinjtë nuk humbin shumë kohë në Maqedoninë e Veriut. Sipas raportit të Entit Shtetëror për Revizion, nga viti 2013 mesatarisht çdo vit largohen rreth 2500 persona të arsimuar, për arsimin e të cilëve shoqëria ka investuar 44,7 miliardë denarë ose rreth 725 milionë euro.
ARMEND MURSELI
