Botë

ShBA akuzon Rusinë për shkelje të marrëveshjes

23.04.2015 13:01

Shtetet e Bashkuara akuzuan Rusinë të mërkurën për ndërtimin e sistemeve mbrojtëse ajrore në lindje të Ukrainës...

Departamenti amerikan i Shtetit tha gjithashtu se Rusia ishte përfshirë në trajnimin e forcave separatiste në shkelje të marrëveshjes së armëpushimit të arritur ndërmjet Ukrainës dhe rebelëve pro-rusë me ndërmjetësimin e Perëndimit në muajin shkurt. 
 
Zëdhënësja e Departamentit të Shtetit, Marie Harf, tha në një deklaratë se forcat ruse në bashkëpunim me separatistët kanë shkelur kushtet e Marrëveshjes së Minskut, duke mbajtur armatime të rënda në zona të ndaluara.
 
Më herët, gjatë këtij muaji, rreth 300 ushtarë amerikanë mbërritën në Ukrainë për të trajnuar trupat e Gardës Kombëtare vendase.
 
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitri Peskov, e cilësoi këtë lëvizje si një kërcënim serioz për destabilizimin e situatës në Ukrainë. Një nga pikat kryesore të Marrëveshjes së Minskut përcakton tërheqjen e të gjitha grupeve të armatosura të huaja, armëve dhe mercenarëve nga territori ukrainas.
 
OKB thotë se mbi 6100 persona janë vrarë që prej fillimit të luftimeve, në prillin e vitit të kaluar, në Donetsk dhe Luhansk.