Maqedoni
Krimi dhe korrupsioni, Taravari: BDI do të mbart përgjegjësi
09.09.2024 14:14
Akuza për mashtrime si pasojë të situatës së inkriminuar në të cilën ndodhen...

Akuza për mashtrime si pasojë të situatës së inkriminuar në të cilën ndodhen, ka drejtuar kryetari i ASH-së Arben Taravari BDI-së pas shkrimit të një dite më parë të kreut të integristëve Ali Ahmeti i cili fton elitat politike të vetëdijësohen për përgjegjësinë që kanë në ndërtimin e shtetit. Taravari në reagimin e tij shkruan se e keqja e këtij populli ka qenë prezente 22 vite duke aluduar në BDI-në, për të cilët thotë se do të mbartin përgjegjësi.
“BDI-ja nxit propaganda absurde, të cilat pretendojnë që me një shkop magjik të rregullojmë një shtet që është shkatërruar për 22 vjet! Ata e dinë sa shumë kanë abuzuar dhe ata e dinë se Drejtësia i pret. Ky shtet ka shumë punë. Ne jemi të vendosur që të kryejmë detyrat tone me vetmohim por ndërkohë tani është koha t'i tregojmë BDI-së dhe të gjithë atyre që e kanë masakruar këtë shtet, se është koha të mbani Përgjegjësi!", shkruan Taravari në rrjetet sociale.
Ahmeti me rastin e 8 shtatorit, ditës së pavarësisë ka shkruar se ende ka tendenca për majorizim, për mosrespektim të vullnetit demokratik të shqiptarëve nga partia që përfaqëson komunitetin shumicë, për shkelje të legjitimitetit etnik me synim për të krijuar shërbëtorë ndër shqiptarët për politikat e tyre monoetnike. Andaj sipas Ahmetit duhet mbajtur llogari në respektimin e barazisë etnike gjatë ndërtimit të shtetit.
Miteva: Filipçe fsheh posedimin e 5 banesave
Akuza për përfshirje në krim dhe korrupsion kanë vijuar edhe në bllokun maqedonas. VMRO – DPMNE ka akuzuar kreun e LSDM-së Venko Filipçe se po fsheh posedimin e 5 banesave të paraqitura në vitin 2018-të.
“Apelojmë deri te komisioni antikorrupsion që të hap lëndë në prokurorinë publike dhe të nis hetim për Filipçen. Patundshmëria që ka paraqitur Filipçe në vitin 2018-të, ndërkaq tani nuk e ka, kap vlerën mbi 600 mijë euro. Ku është prona, nëse e ka shitur, ku janë paratë?”, tha Marija Miteva, zëdhënëse e VMRO-DPMNE-së.
LSDM: Filipçe ka po të njëtën pronë
Socialdemokratët pretendimet e tilla të VMRO – DPMNE-së i cilësojnë si gënjeshtra, pasi sipas tyre në këtë formë nuk luftohet krimi por vetëm se opinioni lodhet me gënjeshtra. Sipas LSDM-së Fillipçe ka pronën e njëjtë në të dy fletë pronësitë të tashmen dhe të 2018-ës, por dallon vetëm forma e paraqitur në komisionin antikorrupsion. Atje banesat e bashkangjitura si një njësi paraqiten si dy patundshmëri me dy fletëpronësi, por që në fakt sipas LSDM-së bëhet fjalë për një prone të vetme.
MERAL ISMAILI
