Maqedoni

BDI Gostivar akuzon komunën e Gostivarit: Çerdhet dhe shkollat janë në kolaps financiar

09.09.2024 15:15

Komuna e Gostivarit iu ka borxh çerdheve, shkollave fillore dhe të mesme në Gostivar...

Komuna e Gostivarit iu ka borxh çerdheve, shkollave fillore dhe të mesme në Gostivar, dhe shuma e këtij borxhi kap vlerën prej 1.3 milionë euro, akuzojnë nga dega e BDI së në Gostivar. Sipas tyre drejtuesit e Komunës me arsyetime banale po justifikojnë veprimet e tyre dhe kjo situate ka shkaktuar që këto institucione të shkojnë drejt kolapsit financiar. 
 
“Të gjindur para fakteve drejtuesit e Komunës së Gostivarit e konfirmuan borxhin dhe tentuan që me arsyetime banale të justifikojnë veprimet e tyre, që çuan çerdhet, shkoillat fillore dhe të mesme drejt kolapsit financiar. Duke tentuar të kamuflojnë keqmanexhimin e tyre me shkollat dhe çerdhet u arsyetuan se borxhi qenka krijuar si pasojë e krizës në Lindjen e Mesme dhe në Ukrainë, një arsyetim qesharak dhe i neveritshëm pasi tentojnë që mashtrojnë qytetarët me arsyetim të pajustifikueshëm për aferat e tyre financiare.”, tha Gajur Sejdini, këshilltar i BDI-së në Gostivar.
 
ASH dega Gostivar mohon akuzat: Po punojmë për përmirësimin e jetës së qytetarëve 
 
Por në reagimin e ASH-së dega Gostivar mohoen këto akuza duke thënë se Komuna e Gostivarit po përgatit një sërë projektesh të rëndësishme që synojnë të përmirësojnë jetën e përditshme të qytetarëve. 
 
“Komuna e Gostivarit përballet aktualisht me një borxh prej 556.839.788 denarë, ndërkohë që qytetarët dhe bizneset i detyrohen komunës 289.549.396 denarë. Pavarësisht këtyre sfidave financiare, komuna ka treguar një mirëkuptim të madh gjatë pandemisë dhe krizës energjetike, duke mbështetur borxhlinjtë e saj. Për t'u përballur me këto vështirësi, po punohet për rritjen e bazës tatimore përmes rivlerësimit të pronave, si dhe është planifikuar aplikimi për obligacione përmes Ministrisë së Financave.”, thuhet në reagimin e ASH-së dega Gostivar.
 
Nga ASH dega Gostivar poashtu shtojnë se Ministria e Arsimit do të shlyejë borxhet e saj, ndërsa në bashkëpunim me UNDP po krijohet një sistem inovativ online për pagesën e taksave.
 
FLUTURA LATIFI