Botë

Konflikti Rusi-Ukrain, vazhdojnë sulmet për pushtim të ndërsjelltë

09.09.2024 16:40

Forcat ruse vazhdojnë sulmet në aeroportet ushtarake, në magazina, drone dhe raketa...

Forcat ruse vazhdojnë sulmet në aeroportet ushtarake, në magazina, drone dhe raketa, teksa avancojnë në lindje të Ukrainës, ku pretendojnë se kanë marrë kontrollin e plotë të qytezës lindore Novohrodivka, një nyje strategjike rrugore dhe hekurudhore për ushtrinë e Kievit në zonë. Ata aktualisht kontrollojnë rreth 80% të rajonit lindor të Ukrainës.
 
Ndërkohë, javët e fundit Ukraina ka nisur një ofensivë ushtarake në rajonin Kursk të Rusisë, me qëllim që të ndalë vrullin e sulmit rus në Donbas. Ndërkohë, forcat ajrore të Ukrainës kanë rrëzuar gjashtë nga tetë dronët e lëshuar nga Rusia dhe dy nga tre raketa, në një sulm gjatë natës.
 
“Puna kryesore për ne tani në fillim të vjeshtës, është të përforcojmë pozitën e Ukrainës, ti mbrojmë qytetet dhe fshatrat tona nga terori rus dhe kuptohet të sigurojmë më shumë mundësi për ushtarët tanë në front. Ne vazhdojmë ti bindim partnerët tanë në të gjitha nivelet për aftësi me rreze të gjatë. Rusia mund të heq dorë nga kërkimi i paqes ashtu siç bota po ikë nga vendime të forta për mundjen e Rusisë.”, tha presidenti i Ukrainës, Volodimir Zelenski.
 
Një komandant i lartë i Gardës Revolucionare iraniane ka mohuar raportet e mediave për dërgimin e raketave nga Irani në Rusi, raportojnë mediat iraniane, mes shqetësimeve perëndimore se raketat mund të vendosen për luftën në Ukrainë. 
 
Ndërkohë të dielën, dy shtete anëtare të NATO-s thanë se dronët rusë shkelën hapësirën e tyre ajrore. Rumania ishte e para që njoftoi diçka të tillë pas sulmeve që Moska ndërmori kundër Ukrainës gjatë natës. Më vonë edhe Letonia bëri të ditur se një dron rus u rrëzua në pjesën lindore të vendit një ditë më parë.
 
Kancelari Gjerman Olaf Scholz në një intervistë për mediat e vendit ka deklaruar se ai dhe Presidenti Ukrainas Volodymir Zelensky kanë rënë dakord mbi idenë se në konferencën e ardhshme të paqes për Ukrainën duhet të jetë pjesëmarrëse edhe Rusia. Sipas tij, dialogu është mënyra e vetme sesi mund ti jepet fund konfliktit të armatosur në Ukrainën Lindore. 
 
FLORIJE BELULI KAMBERI