Botë

Shpërthen vullkani në Kili

23.04.2015 13:39

Vullkani Kalbuko në jug të Kilit ka shpërthyer dy herë brenda pak orëve, duke dhënë sinjalin se është zgjuar nga gjendja e fjetur prej disa dekadash...

Pamjet filmike nga zona tregojnë një vërshim llave dhe hiri që është ngritur disa kilometra në ajër. Autoritetet kanë shpallur alarmin e kuq dhe kanë evakuuar mbi 4 mijë persona në një rreze prej 20 kilometrash. 
 
Vullkani Kalbuko është një nga më aktivët në Kili, por shpërthimi i tij pas një gjendjeje të gjatë pasiviteti i ka kapur të papërgatitura autoritetet. 
 
Alejandro Verges, një zyrtar i emergjencave në rajon, tha se vullkani nuk kishte qenë nën një program të posaçëm mbikëqyrjeje. 
 
Banorët në qytetin e afërt të Ensenadës, bashkë me ata të dy lokaliteteve më të vogla, janë urdhëruar të braktisin shtëpitë e tyre, ndërkohë që shkollat e zonës janë mbyllur dhe disa fluturime janë anuluar. 
 
Qyteti tjetër i afërt, Puerto Mont, prej nga kalon rruga për në rajonin e njohur të Patagonisë, është mbuluar tashmë nga një re e madhe hiri. Pamjet e televizioneve lokale tregojnë probleme të shumta në trafik dhe radhë të gjata në pikat e karburantit. 
 
Ndërsa qyteti tjetër Puerto Varas është në gjendje alarmi. Kryetari i bashkisë, Gervoy Paredes deklaroi se banorët janë shumë të frikësuar. 
 
“Nuk kam parë kurrë diçka të tillë, është e frikshme. Të gjithë po pyesin veten se çfarë do të ndodhë në vazhdim”, tha një banore. 
 
Ministri i Brendshëm, Rodrigo Penailillo u ka bërë thirrje qytetarëve që të ruajnë qetësinë dhe të jenë vigjilentë.