Botë

Kim Jong Un: Koreja e Veriut planifikon rritjen e arsenalit bërthamor

10.09.2024 09:19

Lideri verikorean, Kim Jong Un, ka thënë se Pheniani do të rrisë arsenalin e armëve bërthamore, ka raportuar agjencia shtetërore KCNA....

Lideri verikorean, Kim Jong Un, ka thënë se Pheniani do të rrisë arsenalin e armëve bërthamore, ka raportuar agjencia shtetërore KCNA.
 
Kim ka thënë se stoku i armëve të tilla të Koresë së Veriut duhet të rritet në mënyrë eksponenciale.
 
“Ne jemi duke zbatuar në mënyrë të përsosur politikën e ndërtimit të forcave të armatosura bërthamore dhe rritjen e numrit të armëve bërthamore përmes një progresioni gjeometrik”, ka thënë Kim sipas agjencisë KCNA.
 
Kim i ka akuzuar forcat “armiqësore” se synojnë të sulmojnë Korenë e Veriut me armë bërthamore, pa specifikuar emrat e atyre shteteve, dhe pa ofruar ndonjë dëshmi.
 
Sipas Institutit Ndërkombëtar për Kërkime të Paqes, me bazë në Stokholm, Koreja e Veriut aktualisht posedon rreth 50 koka bërthamore, ndonëse shifra e saktë nuk dihet.
 
Ky vend është jashtëzakonisht i izoluar, për shkak të sanksioneve ndërkombëtare, lidhur me programin e armëve dhe programin bërthamor të këtij shteti.
 
Testi i fundit bërthamor është kryer më 2017. Tensionet në Gadishullin Korean janë rritur në dy vjetët e fundit, pasi Pheniani e ka rritur numrin e testimit të raketave, teksa e ka ashpërsuar retorikën kundër Shteteve të Bashkuara dhe Koresë së Jugut.
 
Pheniani, po ashtu, e ka intensifikuar bashkëpunimin ushtarak me Rusinë./REL