Botë
Dronët ukrainas kërcënojnë aeroportet e Moskës
10.09.2024 10:40
Zyrtarët ukrainas kanë thënë se më 10 shtator, sulme të shumta ruse me dronë dhe raketa kanë shënjestruar Kievin...

Zyrtarët ukrainas kanë thënë se më 10 shtator, sulme të shumta ruse me dronë dhe raketa kanë shënjestruar Kievin dhe infrastrukturën kritike në verilindje të Ukrainës. Ndërkohë, zyrtarët rusë kanë thënë se sulmet me dronë, të nisura prej Ukrainës, kanë vrarë një grua afër kryeqytetit dhe kanë detyruar pezullimin e fluturimeve në tri aeroporte në Moskë.
Guvernatori i rajonit të Moskës, Andrei Vorobiov, ka thënë se një grua 46-vjeçare është vrarë dhe katër të tjerë janë plagosur në qytezën Ramenskoje, kur dronët kanë goditur ndërtesat në rajonin e Moskës. Dhjetëra banorë janë evakuuar prej një blloku tejet të dëmtuar të banesave, kanë thënë zyrtarët. Mediat lokale kanë cituar burime të mbrojtjes ruse se njësitet për mbrojtje ajrore kanë shkatërruar 144 dronët ukrainas që kanë depërtuar në qendër të Rusisë gjatë natës.
Autoriteti kombëtar i aviacionit në Rusi, Rosaviyatsiya, ka thënë se si pasojë e sulmeve me dronë janë pezulluar fluturimet në tri aeroportet në Moskë - Domodedovo, Zhukovski dhe Vnukovo – për arsye të sigurisë. Disa orë më vonë, aeroportet është thënë të jenë funksionalizuar. Ndërkohë, forca ajrore ukrainase ka thënë se Rusia ka kryer sulme gjatë natës me dy raketa dhe të paktën 46 dronë, por që ka arritur t'i rrëzojë 38 dronë. Presidenti rus, Vladimir Putin, e quan luftën “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën. Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra. Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.
