Botë
Sulm izraelit në Gazë, 40 persona të vrarë
10.09.2024 11:46
Një sulm izraelit në një kamp të mbushur me palestinezë të zhvendosur nga lufta në Gazë...

Një sulm izraelit në një kamp të mbushur me palestinezë të zhvendosur nga lufta në Gazë ka vrarë të paktën 40 persona dhe ka plagosur 60 të tjerë, në orët e para të së martës, kanë thënë zyrtarët palestinezë.
Izraeli ka thënë se ka shënjestruar militantë “të rëndësishëm” të Hamasit, deklarata që janë hedhur poshtë prej grupit militant. Hamasi është grup që udhëheq Gazën, i shpallur terrorist prej Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian. Ky mund të jetë një prej sulmeve më vdekjeprurëse në Muvasi, një zonë e mbushur me tenda, e cila gjendet afër bregdetit të Gazës, të cilën Izraeli e ka shpallur zonë humanitare për qindra mijëra civilë, që i kanë ikur luftës mes Izraelit dhe Hamasit.
Mbrojtja Civile, e cila është përgjegjëse për operacione të kërkim-shpëtimit në Gazë, ka thënë se ka mbledhur 40 trupa pas sulmit dhe ende është duke kërkuar. Sipas saj, familje të shumta janë vrarë nëpër tendat e tyre. Ushtria izraelite ka thënë se ka goditur militantë të Hamasit që kanë qenë duke operuar në qendrën komanduese dhe që ka kryer sulme precize për të shmangur viktima civile. Autoritetet palestineze raportojnë se si pasojë e sulmeve izraelite janë vrarë mbi 40.000 persona në Gazë. Kombet e Bashkuara raportojnë se shumica kanë qenë gra dhe fëmijë.
