Botë
Vuçiqi, kritika ndaj Kurtit dhe bashkësisë ndërkombëtare
10.09.2024 14:21
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka dalë me kritika ndaj kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti...

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka dalë me kritika ndaj kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe ndaj bashkësisë ndërkombëtare, pas takimit me të dërguarin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, dhe ambasadorin amerikan në Beograd, Kristofer Hill. Ai kritikon Qeverinë Kurti për mbylljen e komunave paralele në veri të Kosovës, ndërsa bashkësinë ndërkombëtare për shkak të siç thotë Vuçiqi, mosmarrjes së asnjë veprimi konkret, përveç reagimeve me shkrim, ndaj veprimeve të Qeverisë së Kosovës.
“Në 72 orët e ardhshme do t’i drejtohem opinionit dhe do të flas për atë që angazhohet Serbia, për shkak të sulmit brutal të popullsisë serbe, para së gjithash në veri të Kosovës dhe çka është ajo që e ashtuquajtura bashkësi ndërkombëtare nuk ka plotësuar, çka është ajo që Serbia kërkon dhe çka është ajo që do të bëjë Serbia. Pritet që me propozime të rëndësishme në muajin tetor të dalim edhe para Kuvendit të Serbisë. Do të kemi takime shumë të rëndësishme, patjetër të luftojmë për pozitën e Serbisë në botë, të kërkojmë aleat.”, - deklaroi presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Pas takimit me Vuçiqin, Lajçaku nuk ka folur për mediat. Ndërsa ditë më parë ka thënë se do të shkojë në Beograd për t’u përgatitur për takimin e radhës mes Kosovës dhe Serbisë në nivel të kryenegociatorëve. Në këtë kontekst, Vuçiqi ka thënë se Serbia është gjithmonë e gatshme për dialog, ndërsa shprehu edhe gatishmërinë për takimin e radhës me kryeministrin, Kurti. Gjatë vizitës paraprake në Prishtinë, Lajçaku ka thënë se është arritur pajtueshmëri për raundin e ri të dialogut mes kryenegociatorëve, Besnik Bislimit dhe Petar Petkoviqit, mirëpo nuk ka dhënë hollësi se kur do të zhvillohet takimi.
GYLTENE SINANI
