Maqedoni

Mexhiti takon zyrtarin amerikan, Kasanov, në fokus, korrupsioni dhe integrimi

10.09.2024 15:16

Zëvendëskryeministri i parë, Izet Mexhiti, vizitën e tij zyrtare në ShBA e ka filluar me një takim me zëvendës-ndihmës...

Zëvendëskryeministri i parë, Izet Mexhiti, vizitën e tij zyrtare në ShBA e ka filluar me një takim me zëvendës-ndihmës sekretarin amerikan për Ballkanin Perëndimor, Aleksander Kasanov në Uashington. Përmes një komunikate me shkrim  është bërë e ditur se Mexhiti ka njoftuar zyrtarin amerikan me zhvillimet e fundit politike në Maqedoninë e Veriut, përkushtimin e qeverisë së re për përmirësimin e standardit jetësor të qytetarëve, rritjen e investimeve në infrastrukturë, energji dhe arsim, si dhe për angazhimin e pakompromis në luftën kundër korrupsionit. Zëvendëskryeministri Mexhiti ka theksuar edhe nevojën dhe angazhimin e vendit për t’u bërë pjesë e familjes Evropiane.
  
“Integrimi në Bashkimin Evropian është një aspiratë e shumicës së qytetarëve tanë dhe se po punohet intensivisht për ta përshpejtuar këtë proces. ShBA-ja ka qenë gjithmonë një partner dhe aleat i fuqishëm dhe ju falënderojmë për bashkëpunimin e ngushtë që kemi si vende anëtare të NATO-s, sepse për ne roli i ShBA-së si model për zhvillim demokratik dhe stabilitet, është jetik”, - ka deklaruar Mexhiti.
 
Mexhiti nga Uashingtoni: Maqedonia e Veriut ka një fillim të ri
 
Ndërsa zëvendës-ndihmës sekretari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Aleksander Kasanov, ka ritheksuar angazhimin e tyre për të ndihmuar vendin në rrugën drejt anëtarësimit në BE, veçanërisht në këtë periudhë të sfiduar nga agresioni i paprovokuar rus në Ukrainë. Në një intervistë për Zërin e Amerikës, Mexhiti ka folur për VLEN-in si një koalicion i ri për të cilin është shprehur se nuk ka “hipotekë” nga e kaluara dhe është e gatshme të përballet me të gjitha sfidat e RMV-së. 
 
“Ndryshimi nga më parë është se ofrohet kuadër i ri, pa hipoteka, pa bagazh politik. Dhe mendoj se Maqedonia ka një fillim të ri. Ka partnerë në Qeveri që nuk bartin hipoteka nga e kaluara, por janë të gatshëm të përballen me korrupsionin, të angazhohen për zhvillim ekonomik dhe përmirësimin e standardit të jetesës. Fokusi ynë është te decentralizimi. Mendoj se e gjithë kjo do të japë dinamikë të re dhe do ta rikthejë shpresën tek të rinjtë që të mos e shohin si alternativë të vetme largimin nga vendi.”, - theksoi zëvendëskryeministri i parë i RMV-së, Izet Mexhiti.
 
Zëvendëskryeministri Mexhiti, me ftesë të Këshillit Atlantik po merr pjesë në takimin e 9-të të ministrave kushtuar Evropës Qendrore dhe Lindore në Konferencën për Sigurinë Energjetike. Gjatë takimit, Mexhiti shoqërohej nga ministrja e Energjetikës, Minierave dhe Burimeve Minerale, Sanja Bozhinovska.
 
SANIJE DURAKU