Qeveria: 84 mijë administratorë përfitojnë K-15

10.09.2024 16:51

Në buxhetin e këtij viti janë siguruar....

Në buxhetin e këtij viti janë siguruar mjete për pagesën e K-15 për 84 mijë administratorë, thonë nga Qeveria.

Nga buxheti, për këtë qëllim do të ndahen 1 miliard denarë dhe administratorëve do t’u përfitojnë regres për pushim vjetor në vlerë prej 11 mijë denarë, që është  siguruar me ribalancën e buxhetit.

“Mbi 84 mijë punëtorë në administratën shtetërore do të përfitojnë 11 mijë denarë. Pagesa do të bëhet më vonë në dhjetor të këtij viti. Me këtë do të zbatohet një mbështetje tjetër e rëndësishme për punonjësit.”, thuhet në komunikatën  e Qeverisë.

LSDM: Mickoski mburret me politikat tona

Por, pas këtij vendimi, i menjëhershëm ishte reagimi i LSDM- së opozitare, sipas së cilës Mickoski mburret me projektet e LSDM-së. Sipas tyre, punonjësit e administratës publike marrin K-15, për shkak të politikave të LSDM-së, sepse me marrëveshjet e reja kolektive, LSDM-ja riktheu regresin  e pushimit vjetor dhe tregoi shqetësim real për punëtorët.

“Fakti që Qeveria e Mickoskit deklaron se ka dhënë para është qesharake, çfarë duhet të bëjë tjetër? Ka para, parashtrohet çështja se cilat janë prioritetet. Gjatë krizave më të mëdha, LSDM-ja siguroi mjete për K-15, si dhe për ngritjen e pagave të punëtorëve, gjë që kjo Qeveri e ka ngrirë dhe paralajmëron se nuk do t'i rritë  pagat”.

Sipas Qeverisë, K-15 do të marrin edhe arsimtarët e punësuar në shkolla. (Flutura Latifi, TVM2)