Ministri Neziri dhe Kolegji Amerikan shpallin “doktor nderi” sipërmarrësin, Bert Tvalfhoven
Ministri i Ekonomisë, Bekim Neziri, së bashku me rektorin e Kolegjit Amerikan në Shkup i ndau çmimin “doktor nderi i shkencave të sipërmarrësisë ndërkombëtare” Bert Tvalfhovenit, i cili është themelues i shumë kompanive botërore....

Ai paraqet shembull për një njeri të suksesshëm në fushën e sipërmarrësësisë, duke përkrahur punën e shumë kompanive dhe institucioneve akademike në Maqedoni, vlerëson ministri Neziri. Sipas tij, fryma e re është ajo e cila duhet mbështetur në vazhdimësi në mesin e të rinjve.
“Bert ka një kontribut dhe eksperiencë të madhe, të jashtëzakonshme në Evropë, në fushën dhe inicimin e kompanive ose ndërmarrjeve të vogla dhe të mëdha. Eksperienca e dr. Bertit, kuptohet se edhe në këtë universitet, por edhe si politikbërës i ndërmarrësisë në RM-së, do të jetë pozitive dhe do të mundohemi që eksperiencën e tij ta implementojmë në programet të cilat i kemi në ME, po pse jo edhe në përmirësimin dhe inicimin e programeve të reja në universitetet e ndryshme të cilat funksionojnë në Maqedoni”- deklaroi ministri i Ekonomisë, Bekim Neziri.
Sipas Bert Tvalfhovenit, sipërmarrësia në Maqedoni është në fillim të zhvillimit të saj. Ai është i mendimit se Maqedonia mund të mësojë shumë në këtë fushë nga Gjermania, Holanda, Kina dhe ShBA-të.
“Sipërmarrësisë në Holandë dhe Kinë u nevojitej shumë kohë e gjatë për t’u zhvilluar, bizneset familjare ishin kyçe për këtë zhvillim. Bizneset e suksesshme familjare siç i keni në Maqedoni duhet të jenë mbështetës kryesor të këtij procesi të zhvillimit të sipërmarrësisë. Në Holandë është praktikuar gjithashtu ulja e tatimeve me të vetmin qëllim që paratë të investohen në kompanitë “Start UP”. Nuk e di a është kjo praktike edhe në Maqedoni, mirëpo këto lehtësira financiare duhet të impelementohen. Me rëndësi është që duhet të kalojnë prej 5 deri më 10 vite që një biznes të llogaritet si i suksesshëm”- tha sipërmarrësi ndërkombëtar, Bert Tvalfhoven.
Ministria e Ekonomisë në vazhdimësi mbështet sipërmarrësinë në vend, duke ndarë për këtë vit 10 milion denarë dedikuar gjallërimit të ndërmarrësisë në Maqedoni. (Rexhep Qamili, TVM2)
