Botë

Sulm në një zonë humanitare në Gazë, dhjetëra të vrarë dhe të plagosur

10.09.2024 18:50

Bombardimet në Gazë nuk kanë të ndalur...

Në mëngjesin e sotëm  dhjetëra palestinezë kanë humbur jetën nga sulmet ajrore izraelite. Dëshmitarët okularë thanë se Izraeli goditi me të paktën tre raketa zonën Al-Maëas, zonë kjo humanitare, ku të paktën janë djegur nga zjarri rreth 20 tenda në të cilat kanë qëndruar palestinezët e zhvendosur.
 
Drejtori i operacioneve të autoritetit të Mbrojtjes Civile të Hamasit ka theksuar se bëhet fjalë për dyzet njerëz të vrarë, më shumë se 60 të plagosur, ndërsa edhe shumë të tjerë të cilët janë nën rrënoja.
 
Nga ushtria izraelite thonë se kanë sulmuar “terroristë të rëndësishëm të Hamasit”, që vepronin brenda një qendre komandimi dhe kontrolli të ngulitur brenda Zonës Humanitare në Kan Junis, por Hamasi hodhi poshtë pretendimet e ushtrisë izraelite se kishte luftëtarë të Hamasit të pranishëm në zonë, duke e quajtur atë një gënjeshtër “të hapur”.
 
Nga atje thonë se përmes kësaj gënjeshtre, ata synojnë të justifikojnë këto krime të shëmtuara.
 
Borell: Thirrja e BE-së është që të ndërpriten bombardimet
 
Zyrtari i lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borell, tha se është e patjetërsueshme ndërprerja e kësaj situate, me qëllim të mos eskalojë edhe më tutje. 
 
“Duhet të vazhdojmë të kërkojmë ndërprerjen e zjarrit, lirim të atyre që janë zënë peng dhe ndalimin e bombardimeve. Kjo është thirrje e Bashkimit Evropian, e kolegëve të mi ministra, e ministrave të Këshillit.”, - theksoi përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Punë të Jashtme, Josep  Borell.
 
Mijëra palestinezë të zhvendosur kanë ikur në Kan Junis, që kur Izraeli filloi fushatën e tij ushtarake në territor, tetorin e kaluar. Operacioni tokësor filloi në përgjigje të sulmit të Hamasit në Izraelin jugor më 7 tetor, në të cilin rreth 1.200 njerëz u vranë dhe 251 u morën peng.
 
Në luftën e vazhdueshme të Izraelit në Rripin e Gazës, që zgjat tashmë gati një vit, janë vrarë rreth 41.100 palestinezë, kryesisht gra dhe fëmijë, ndërsa janë plagosur afro 94.800 të tjerë, sipas autoriteteve lokale shëndetësore.
 
ARMEND MURSELI