Maqedoni
RMV, reshjet e shiut kanë shuar të gjitha zjarret në vend
10.09.2024 19:16
Të 22 zjarret në ambient të hapur janë shuar nga reshjet e shiut...

Të 22 zjarret në ambient të hapur janë shuar nga reshjet e shiut, njoftoi mëngjesin e sotëm Qendra për Menaxhimin e Krizave (QMK).
“Shiu ka ndihmuar në shuarjen e të gjitha zjarreve në territorin e shtetit.”, njoftoi QMK-ja.
Kështu, zjarret janë shuar në komunat: Prilep, Dollnen, Çashkë, Berovë, Zhelinë, Likovë, Nagoriçan i Vjetër, Zelenikovë, Gazi Babë, Çuçer Sandevë, Haraçinë, Kërçovë dhe Rosoman. Ndryshe, zjarret kohët e fundit në Maqedoninë e Veriut janë shpeshtuar, kjo për shkak edhe të stinës së nxehtë të verës, por edhe për shkak të pakujdesisë së njerëzve.
Për shkak të zjarreve në mes të korrikut, Qeveria e Maqedonisë së Veriut për herë të parë shpalli gjendje krize për 30 ditë, e cila vazhdoi përsëri më 13 gusht dhe kërkoi ndihmë përmes mekanizmit të BE-së në fushën e mbrojtjes civile.
