Botë

Kurti: Kemi shtuar shërbimet për qytetarët në veri

11.09.2024 14:14

Qeveria e Kosovës nuk po mbyll zyra në komunat veriore....

Qeveria  e Kosovës nuk po mbyll zyra në komunat veriore. Po hap zyra legale, ndërsa po i mbyll ato ilegale. Kështu ka deklaruar në mbledhjen e Qeverisë kryeministri, Albin Kurti, duke sqaruar se me mbylljen e komunave ilegale nuk janë zvogëluar apo kufizon shërbimet për qytetarët, përkundrazi po i shton ato.
 
“Pas raportimeve dhe dëshmive të konfirmuara se në katër komunat veriore po funksionojnë komuna paralele të Serbisë në hapësira të uzurpuara dhe po zhvillojnë veprimtari ilegale, institucionet tona të sigurisë kishin ndërmarrë veprime ligjore për mbylljen e tyre. Kjo na ka mundësuar neve, institucioneve qeverisëse që pastaj të ofrojmë shërbime të ligjshme. Në ato objekte do të funksionalizohen Njësia e Patentë Shoferëve në kuadër të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Qendra për Punë Sociale dhe Shërbime të Mirëqenies Sociale në kuadër të Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve, pastaj shërbimi për regjistrimin e automjeteve në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme, e shërbime tjera të Ministrisë së Ekonomisë, Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë,  e të Ministrisë për Komunitete dhe Kthim.”, - deklaroi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
 
Prokuroria Speciale e Kosovës, aktakuzë ndaj 45 sulmuesve në Banjskë
 
Kurti njëherit ka thënë se grupe personash të maskuar, në prani të Policisë së Serbisë, në kufi me Republikën e Kosovës, por në territorin e Serbisë kanë kryer rolin e policisë kufitar duke ndaluar vetura e legjitimuar udhëtarë për të kuptuar përkatësinë e tyre etnike. Por, siç tha Kurti, edhe bllokada e këtyre grupeve dështoi. Ndërkohë, Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj 45 personave - në mesin e tyre edhe Millan Radoiçiq, për sulmin e armatosur në Banjskë.  Më 24 shtator të vitit të kaluar, në Banjskë të Zveçanit, grupe të armatosura serbësh sulmuan policinë e Kosovës, duke vrarë rreshterin Afrim Bunjaku. Në përleshjet e armatosura që pasuan, u vranë edhe tre sulmues serb.
 
GYLTENE SINANI