Maqedoni
9 ilaçe të reja të listës pozitive, Taravari: Nga e hëna do të gjenden në barnatore
11.09.2024 14:32
Nga 16 shtatori qytetarët do të mund t’i gjejnë 9 gjenerikët që iu shtuan listës pozitive nëpër farmaci...

Nga 16 shtatori qytetarët do të mund t’i gjejnë 9 gjenerikët që iu shtuan listës pozitive nëpër farmaci, bën të ditur ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari. Ai sqaron se pacientët do të kenë në dispozicion gjithsej 87 barna të reja, në formë dhe paketim të ndryshëm, që janë ndër nëntë gjenerikët e rinj të futur në listën kryesore pozitive. Lista pozitive do të vazhdojë të zgjerohet, tha Taravari.
“Mendoj që komisioni ka punuar relativisht mirë. Përsëri do të ulemi do të bisedojmë me ta dhe do të mundohemi t’i zgjedhim ato ilaçe që janë më të nevojshme për qytetarët tanë. Për 50 ditë kemi siguruar 9 ilaçe të reja, nuk dua të premtoj edhe 10 ilaçe të reja, por ju garantoj se çdo tre ose katër muaj do të ketë plotësim edhe të një, dy ose tre barnave të reja.”, - deklaroi ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari.
Nga OBSh-ja vlerësojnë se shumë njerëz po luftojnë për të përballuar jetesën dhe duhet të zgjedhin midis pagesës për kujdesin shëndetësor ose ushqimin dhe nevojat bazë.
“Shpenzimet katastrofale shëndetësore ende janë shqetësim serioz, veçanërisht për familjet e varfra. Në vitin 2018, 80 për qind e pagesave të qytetarëve ishin për ilaçe, ndërsa këto pagesa përbëjnë 42 për qind nga shpenzimet totale shëndetësore, që është larg nga përqindja e vendeve të BE-së ku shpenzohet 22 për qind.”, - deklaroi Natasha Azopardi Muskat nga OBSh-ja.
Nga OBSh-ja theksojnë se kur nuk ka barna, tregjet më të vogla përballen me problemin e furnizimit me çmime më të ulëta.
VLORA LATIFI TOPOJANI
