Dita Ndërkombëtare e Librit, Qendra “Racio” organizoi panair të librit në Çarshi

23.04.2015 16:22

Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Librit, Qendra “Racio” organizoi një panair të vogël në Çarshinë e Shkupit...

Kjo është dita e dytë me radhë që kalimtarëve iu jep mundësi që të shohin dhe blejnë titujt më të ri të librave. Organizatorët e këtij projekti shprehen se ky aktivitet tashmë është bërë tradicional.

“Iniciativa u mor nga vetë studentët dhe aktivistët e Qendrës “Racio”. Ky aktivitet tashmë është bërë tradicional, sepse është radha e tretë që organizojmë një panair të tillë, kjo bëhet në Çarshi të Shkupit, sepse e gjithë rinia lëviz këtu. Zakonisht bëhet shitja e librave me çmime shumë të ulëta. Këtë vit kemi diku 7 shtëpi botuese të cilat punojnë me ne”- deklaroi koordinatori i projektit nga Qendra “Racio”, Nusret Iseni.

“Ne më shumë jemi të fokusuar te librat historikë, kemi edhe libra nga gjuha angleze të përkthyera në gjuhën shqipe, si Scot Pek, i cili ka pasur interesim mjaft të madh. Kemi edhe libra të Kadaresë, d.m.th. janë të përzier të gjitha librat. Por, interesim më të madh ka për librat e fëmijëve”- tha Alije Bakiju nga Qendra “Racio”.

“Zgjodhën një libër këtu, d.m.th. të gjitha librat janë të mirë, kush ka kohë të lexojë është mirë të lexojë. Çdo gjë nuk është në filma dhe programe të ndryshme, d.m.th. libri është një kapital për njeriun, kur do që i duhet diçka mund ta gjejë tek libri”- theksoi një blerës.

Ideja e përkujtimit të ditës e ka origjinën e vet në Spanjë, në zonën e Katalonjës, sepse atij që blinte një libër i dhurohej edhe një trëndafil.

23 prilli është shpallur si Dita Botërore e Librit, më 15 nëntor 1995, me një rezolutë të UNESCOS, pasi u morën në konsideratë faktet se libri ka qenë historikisht instrumenti më i fuqishëm i shpërndarjes së njohurive dhe ruajtjes së tyre. (Farije Dauti-Bakiju, TVM2)