Maqedoni

Incidenti lidhur me kishën në Toplicë, Mickoski: Të mos luhet në kartë etnike

11.09.2024 15:30

Kryeministri Hristijan Mickoski e quan incident të izoluar rastin lidhur me ndërhyrjen e policisë gjatë punimeve në kishën në fshatin Toplicë...

Kryeministri Hristijan Mickoski e quan incident të izoluar rastin lidhur me ndërhyrjen e policisë gjatë punimeve në kishën në fshatin Toplicë të Vrapçishtit. Kryeministri thotë se nuk duhet të luhet në kartë etnike, ndërsa për të penguar incidentet e këtilla nevojiten ndryshime në ligjin për policinë. Mickoski apelon te qytetarët që të mos bien pre e provokimeve të këtilla.
 
“Në rrjetet sociale dolën disa fotografi të një personi të cilin e shohin në shoqëri me figura aktive politike. Nëse merret parasysh edhe provenienca partiake e kryetarit të komunës së Vrapçishtit, por edhe të strukturës policore, e cila ende është në udhëheqje, atëherë shumë lehtë mund të vihet në përfundimin se kjo është pjesë e folklorit që po përgatitet për mbjelljen e mosdurimit etnik dhe fetar dhe përpjekje për destabilizim. Incidente të këtilla do të ketë edhe në periudhën e ardhshme, sepse duke i pasur parasysh ndryshimet e fundit në ligjin e policisë si qeveri, nuk mundemi t’i bëjmë ndryshimet në strukturat udhëheqëse.”, - deklaroi kryeministri, Hristijan Mickoski. 
 
Spasovski: Të mos luhet me të drejtën fetare
 
Edhe ish-ministri i brendshëm, Oliver Spasovski, thotë se me incidentet e tilla nxiten marrëdhëniet ndëretnike. Spasovski njëherit e quan të paarsyeshme arrestimin e kujtdo qoftë në rastet e tilla. 
 
“Nuk duhet që në atë mënyrë të reagohet kur bëhet fjalë për objekte fetare. Kurrsesi nuk guxojmë që të luajmë me të drejtën e besimit fetar. Vlerësoj se gjithçka duhet të zgjidhet nëpërmjet institucioneve të sistemit.”, - theksoi deputeti i LSDM-së, Oliver Spasovski.
 
Shkëmbim akuzash mes dy ASh-ve
 
Aleanca për Shqiptarët e Ziadin Selës, ka akuzuar se organizatori i protestës së djeshme, Dushko Pavllovski, është shok i afërt me Arben Taravarin dhe Valbon Limanin.
 
“Dushko Pavllovski ishte njëri ndër organizatorët kryesor të aksionit për uzurpimin e pronës afër kishës së Gallatës dhe protestës së dhunshme që u mbajt dje në komunën e Vrapçishtit, ku bashkë me simpatizantë të tjerë të VMRO-së tentuan të hyjnë me dhunë në kabinetin e kryetarit, Isen Shabani, duke lëshuar edhe kërcënime ndaj tij. Ai për këto arsye ishte edhe njëri nga dy të arrestuarit pasi me forcë i kishin rezistuar edhe policisë që kishte ardhur në vend për të siguruar rendin publik. Skenarët e këtilla për ngritje të tensioneve tanimë janë letër e lexuar e VMRO-së dhe Qeverisë monoetnike, e cila kohë pas kohe, ashtu si në Kodrën e Diellit, tenton të mbjellë kryqe dhe kisha edhe në vendbanime të tjera.”, thonë nga partia e Ziadin Selës. 
 
Por, ushtruesi i detyrës së kryetarit të Gostivarit, Valbon Limani, nga Aleanca për Shqiptarët e Arben Taravarit, thotë se Pavllovski është njëri nga qindra qytetarët me të cilët ka fotografi dhe se ajo fotografi është e para 5 vitesh dhe se fotoja tani po keqpërdoret.
 
FITORE DEMOLLI