Maqedoni

Balancuesi, VLEN: Do të sjellim ligj të ri për përfaqësim të drejtë

11.09.2024 16:28

Balancuesi do të zëvendësohet me një ligj të ri, zgjidhje ligjore e cila do të garantojë barazi të plotë dhe përfaqësim të drejtë për të gjitha etnitë...

Balancuesi do të zëvendësohet me një ligj të ri, zgjidhje ligjore e cila do të garantojë barazi të plotë dhe përfaqësim të drejtë për të gjitha etnitë, paralajmëron koalicioni VLEN. Ky propozim, sipas palës shqiptare në pushtet, do të sigurojë që shqiptarët mos të shihen si numra, por si qytetarë me të drejta të plota dhe të barabarta para ligjit. Përmes komunikatës me shkrim, VLEN-i akuzon BDI-në se gjatë qeverisjes ka krijuar një sistem të deformuar që ka dëmtuar interesat e shqiptarëve dhe ka penguar përparimin e tyre.
 
“BDI-ja, me një histori të gjatë abuzimesh, ka keqpërdorur institucionet shtetërore për të manipuluar qytetarët shqiptarë. Duke i trajtuar shqiptarët si “vota” dhe jo si qytetarë që meritojnë dinjitet dhe mundësi të barabarta, kjo parti ka penguar zhvillimin profesional të shqiptarëve në administratën publike. Koalicioni VLEN në vend të “balancuesit” do të sjellë një Ligji të ri për përfaqësim të drejtë dhe adekuat, i cili do të garantojë barazi të plotë dhe përfaqësim të drejtë për të gjitha komunitetet etnike.”, thonë nga VLEN-i.
 
LSDM-ja opozitare akuzon Qeverinë e Mickoskit se ka thyer një tjetër premtim të dhënë para zgjedhjeve e kjo është çështja e balancuesit.  Sipas socialdemokratëve, në vend që ta shfuqizohet balancuesi, siç e ka premtuar DPMNE-ja, tani do të ketë balancues të përmirësuar dhe të zgjeruar, aplikimi i të cilit do të jetë përgjegjësi e Kuvendit dhe do të menaxhohet nga BDI-ja. Ndërsa nga BDI-ja për ndryshimin e balancuesit disa herë kanë reaguar duke thënë se dënojnë ashpër vendimin e Qeverisë për të ndryshuar formulën e “balancuesit”. Sipas integristëve, këtë veprim e shohin si një përpjekje për të ulur ndikimin dhe pjesëmarrjen e shqiptarëve në jetën publike dhe institucionale të vendit.
 
SANIIJE DURAKU