Ligji për vetëqeverisje lokale në Kuvend, vendoset për 3 u.d. kryetar komune

11.09.2024 16:45

Ligji për vetëqeverisje lokale...

Ligji për vetëqeverisje lokale në procedurë parlamentare parashikon që ushtruesi i detyrës kryetar komune, të mbetet në këtë detyrë deri në zgjedhjen e kryetarit të ri të komunës.

Shumica e deputetëve sot votoi që ligji të miratohet me procedurë të përshpejtuar. Nga VMRO – DPMNE-ja, propozues të ligjit, thonë se ky ndryshim ligjor do të vlejë vetëm për situatën aktuale në tre komuna: Saraj, Gostivar dhe Aerodrom, të cilat drejtohen nga ushtrues detyre.

“Duke pasur parasysh se deri në shpalljen e zgjedhjeve të reja lokale ka më pak se 12 muaj dhe duke u nisur nga gjendja ekonomike në shtet, për organizimin e këtyre zgjedhjeve; ndryshimet e propozuara ligjore kanë për qëllim që të mos ketë ndryshime, gjegjësisht këto kandidatë të mbeten kryetar komunash në 12 muajt në vijim, deri në mbajtjen e zgjedhjeve të rregullta lokale.”, - deklaroi Nikolla Micevski nga VMRO – DPMNE.

Nga LSDM-ja kundërshtojnë ligjin, pasi sipas tyre kjo mund të shndërrohet në praktikë dhe në këtë formë të mohohet vullneti i votuesve.

“Do të përballemi me situatë ku menjëherë pas zgjedhjeve lokale, sërish të krijohet praktikë ku për çfarëdo arsye do të mund t’i ndërpritej mandati i ndonjë kryetari komune. Dhe në situatë të tillë pa vendosur qytetarët, deri në fund të mandatit të kryesojë dikush tjetër i caktuar si zëvendës.”, - theksoi deputeti i LSDM-së, Oliver Spasovski.

BDI-ja pritet të mbështesë ligjin. Ndryshimet ligjore vijnë pas zgjedhjeve parlamentare, ku kryetari i komunës së Sarajit kaloi në detyrën e deputetit, kryetari i Gostivarit, Arben Taravari, u emërua ministër i Shëndetësisë, ndërkaq kryetari i Aerodromit, Timço Mucunski, ministër për Punë të Jashtme dhe Tregti. (Meral Ismaili, TVM2)