Shqipëria mundet nga Gjeorgjia
Shqipëria është mundur për herë të parë nën drejtimin e teknikut Sylvinho...
Shqipëria është mundur për herë të parë nën drejtimin e teknikut Sylvinho, në “fortesën” e “Air Albania”, me “Legjionarët” që janë mundur minimalisht nga Gjeorgjia, në sfidën e dytë, të këtij edicioni të Nations League.
Gjeorgjia morri 3 pikë me një gol të shënuar në minutën e 71-të nga Kochorashvili. Në këtë ndeshje të dytë të Ligës së Kombeve, të besuarit e trajnerit Silvinjo nuk kanë mundur të bëjnë asgjë përballë një kundërshtari hermetik, mjaft të kujdesshëm në lojën mbrojtëse dhe rezultativ në sulm.
Pavarësisht volumit të lojës, lojtarët kuqezi në asnjë moment nuk arritën të gjejnë kuadratin në ato pak raste të krijuara.
Një mbrëmje jo, pa ritmin e duhur, përballë një kundërshtari të vendosur mirë në fushën e lojës dhe mjaft të fortë në dyluftime.
SYLVINHO, ISHIM TË PAFAT
“Ka qenë ndeshje e vështirë taktike për të dyja ekipet. Kam folur edhe më par që ky është grup shumë i vështirë, grup i ekuilibruar. Ishte një ndeshje e ndryshme nga ajo me Ukrainën, ishte për barazim, por për fat të keq pësuam gol. Gjeorgjia është një kundërshtar shumë i fortë. Ndodhemi në një grup të fortë, kemi fituar ndeshjen e parë, sot u mundëm. Duhet të shikojmë përpara, gjithçka është e hapur, të shikojmë se çfarë do të ndodhë. Objektivi është të mbetemi në garë në tetor dhe në nëntor në dy ndeshjet në shtëpi të mundohem të fitojmë grupin.” – tha trajneri i Kombëtares së Shqipërisë, Sylvinho.