Incidenti në Gushincë, reagime nga Brukseli e Moska
Për shkak të seriozitetit të situatës pas incidentit në Gushincë, zyrtarët e Maqedonisë dhe të Kosovës duhet të mbajnë një takim të nivelit më të lartë, ku do të duhet të merren vesh që të dy vendet në të ardhmen të bashkëpunojnë ngushtë në lidhje me kalimin ilegal të kufirit...

Kjo porosi vjen nga Brukseli pas sulmit të së martës në Gushincë të Likovës. Nga Brukseli kërkojnë që të gjitha subjektet politike të sillen me përgjegjësi dhe të qetësojnë situatën.
“Ne jemi të shqetësuar me incidentin në Stacionin Policor në Gushincë të Likovës. Me rëndësi thelbësore është që ky problem të zgjidhet në mënyrë të përgjegjshme. Presim që organet dhe partitë politike të bëjnë përpjekje maksimale që të shmanget çfarëdo rritje e tensioneve politike dhe ndëretnike”- ka thënë Anka Padurari nga press-shërbimi i komisarit për fqinjësi të mirë dhe negociata, Johanes Han.
Reagimi i tillë nga Brukseli vjen pas komunikatës së MPB-së se 40 persona të armatosur, që dyshohet të jenë nga Kosova, kanë sulmuar 4 persona të shërbimit policor që kanë qenë në kujdestari në Stacionin Policor në fshatin Gushicë, Komuna e Likovës.
Reagim për sulmin në Stacionin Policor në Gushincë vjen edhe nga Rusia. Ministria e Jashtme e Rusisë në kumtesën e saj ka shprehur shqetësim për sulmin në Stacionin Policor në fshatin Gushincë.
“Incidenti në kufirin e Maqedonisë tregon se në këtë pjesë të Ballkanit ekzistojnë tensione të thella etnike dhe potenciale për konflikt”- thuhet në kumtesën e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Rusisë.
Në kumtesë thuhet se në situatën e krijuar ndikon deficiti i sigurisë dhe respektimi i ligjeve në Kosovë, që është pasojë e moszgjidhjes së çështjes së Kosovës në përgjithësi. Gjithashtu duhet të kihet kujdes edhe në parullat e mëdha shqiptare në rajon, thuhet më tej në kumtesën e lëshuar nga Ministria e Jashtme ruse.
Nga MPB-ja ende po hetojnë rastin për sulmin në Stacionin Policor në Gushincë, por ende nuk kanë zbuluar detale të reja. (Florije Kamberi, TVM2)
