Botë

Koreja e Veriut teston raketa balistike

12.09.2024 12:21

Koreja e Veriut ka shkrepur shumë raketa balistike, me rreze të shkurtra veprimi...

Koreja e Veriut ka shkrepur shumë raketa balistike, me rreze të shkurtra veprimi, pranë bregdetit të saj lindor të enjten, njoftoi ushtria e Koresë së Jugut. Ky ishte testimi i parë raketor i Veriut pas më shumë se dy muajve dhe u krye vetëm pak ditë pasi lideri veri-korean, Kim Jong Un, u zotua për ta rritur arsenalin bërthamor.
 
Raketat u lëshuan nga Peniani dhe fluturuan rreth 360 kilometra para se të binin në det, tha Shtabi i Përgjithshëm i ushtrisë jug-koreane, pa treguar sa sosh u shkrepën saktësisht.
 
“Ne e dënojmë fuqishëm lëshimin e raketave nga Koreja e Veriut, sepse ky është provokim i qartë që e kërcënon seriozisht paqen dhe stabilitetin në Gadishullin Korean.”, tha ai në një komunikatë.
 
Ministria e Mbrojtjes e Japonisë tha se së paku dy raketa balistike nga Koreja e Veriut fluturuan më gjatë se 350 kilometra në një lartësi prej 100 kilometrash. Të dërguarit e posaçëm të Koresë së Jugut, Japonisë dhe ShBA-së për armët bërthamore biseduan përmes telefonit dhe thanë se lëshimi i raketave nga Veriu është shkelje e rezolutave të OKB-së, tha Ministria e Jashtme jug-koreane. Ata, gjithashtu, u zotuan se do të përgjigjen ndaj çdo provokimi nga Koreja e Veriut. Hera e fundit kur Koreja e Veriut kishte shkrepur një raketë ishte 1 korriku, kur tha se me sukses e testoi një raketë të re balistike dhe taktike.