Maqedoni
Shkolla fillore e muzikës në Strugë, rritet dukshëm interesi i nxënësve
12.09.2024 14:14
Struga ka fatin që prej katër vitesh të ketë shkollën fillore për arsim muzikor...

Struga ka fatin që prej katër vitesh të ketë shkollën fillore për arsim muzikor. Nxënësit dhe mësimdhënësit kanë arritur suksese deri më tani, thotë drejtori i shkollës, z. Altin Ziba, i cili veçon edhe vështirësitë që ka pasur shkolla gjatë rrugëtimit 4-vjeçar. Por, ky fillim shkollor ata i ka gjetur mjaft të përgatitur.
Në vitin shkollor 2021 shkolla regjistronte 150 nxënës në instrumentet e ndryshme, por me vitet që pasuan numri i nxënësve u rit dukshëm.
“Viti i parë kishte një interes mjaft të madh edhe siç e cekëm se ishte mjaft i vështirë vitin e parë kemi regjistruar 150 nxënës, vitin e dytë 80, vitin e tretë 100, por ne këtë vit kemi plus 80 nxënës më shumë se vitet e kaluara.”, - deklaroi drejtori i shkollës, Altin Ziba.
Shkolla disponon një sërë instrumentesh ku fëmijët kanë mundësi të shprehin talentin e tyre si në violinë, klarinet, piano e shumë instrumente te tjera. Një nga faktorët kryesorë të këtij suksesi është programi i aktiviteteve dhe orëve individuale të mësimdhënësve në raport me nxënësit. Nxënësit, talentin e tyre e kanë treguar edhe në garat shtetërore dhe ndërkombëtare.
“Vjet për herë të parë kemi marrë pjesë në gara shtetërore me 30 nxënës ku kemi pas rezultate mjaft të mira duke filluar nga vendet e para, të dyta dhe të treta. Në Kosovë dhe Serbi jemi ndarë me vendet e para dhe të dyta.”, - theksoi drejtori i shkollës, Altin Ziba.
Shkolla shtetërore fillore e muzikës po jep një kontribut të rëndësishëm në edukimin muzikor dhe krijimin e mundësive për talente të reja që do të formësojnë të ardhmen e muzikës në vend.
FITORE ISTREFI
