Maqedoni
Siljanovska në Bullgari, Mickoski: Ndërtojmë marrëdhënie të mira
12.09.2024 15:05
Vizita e nesërme e delegacionit të Maqedonisë në Sofje, të udhëhequr nga presidentja, Gordana Siljanovska Davkova..

Vizita e nesërme e delegacionit të Maqedonisë në Sofje, të udhëhequr nga presidentja, Gordana Siljanovska Davkova, kontribuon në ndërtimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore. Kështu ka deklaruar kryeministri, Hristijan Mickoski, duke shtuar se do të vazhdojnë të punojnë për interesat kombëtare.
“Ne do të vazhdojmë të ndërtojmë marrëdhënie të mira fqinjësore. Motoja jonë është se "Ne nuk duam të huajën, nuk japim tonën!", dhe ndërtimi i marrëdhënieve të mira fqinjësore është vlerë evropiane dhe kështu duhet të vazhdojmë. Qëllimi ynë është të ndërtojmë marrëdhënie të mira fqinjësore dhe do të vazhdojmë ta bëjmë këtë. Ne kemi qëndrimet tona në raport me interesat tona. Ne do të luftojmë për interesat tona si vend, asgjë nuk duhet të jetë e çuditshme.”, - deklaroi kryeministri, Hristijan Mickoski.
Ndërkohë, pas ndryshimeve në përbërjen e Komisionit të përbashkët të ekspertëve për çështje historike dhe arsimore ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, ish-anëtarët e Komisionit Historik akuzojnë se puna e tyre është keqpërdorur për qëllime partiake. Fajin e adresojnë drejt kryeministrit dhe përfaqësuesve qeveritarë.
"Në të njëjtën linjë me deklaratat e kryeministrit dhe ministrave të tij, në opinion u publikuan tekste që “përpiqen” ta shpjegojnë vendimin politik të qeverisë me manipulime dhe falsifikime se Komisioni “prodhoi” dy protokolle që në fakt ishin miratuar nga qeveritë e të dy vendeve; se anëtarët e Komisionit në mbledhjen e 15-të, në të cilën nuk është marrë asnjë vendim, kinse kanë devijuar nga vijat e kuqe maqedonase të miratuara nga Kuvendi në korrik të vitit 2021.". Ky është qëndrimi i ish-anëtarëve të Komisionit të përbashkët multidisiplinar.
Komisioni për çështje historike dhe arsimore, Mickoski: Do të hetojmë shpenzimet
Përderisa nga Komisioni historik kërkojnë që në përbërje të Komisionit të përfshihen edhe ekspertë të huaj të UNESCO-s, Këshillit të Evropës apo OSBE-së, kryeministri Hristijan Mickoski paralajmëroi hetim për honorarët e marra nga ky Komision, ndërsa nuk e kontestoi përfshirjen e ekspertëve të huaj brenda këtij Komisioni.
“Le të përfshihen ekspertët, ne jemi që të përfshihemi për të gjetur një zgjidhje. Mendoj se nuk duhet të ketë më komente dhe vëmendje ndaj plaçkave politike nga ish-anëtarët e Komisionit historik. Qindra mijëra para dhe euro të njerëzve u shpenzuan për diçka që rezultoi me "asgjë" kapitullim duke pranuar atë që pranuan Kovaçevski dhe Osmani. Tani do të inkuadrohen organet hetuese dhe inspektorati që të shohim se ku janë shpenzuar paratë dhe sa janë honorarët e këtyre që bënë "asgjë".”, - theksoi kryeministri, Hristijan Mickoski.
Filipçe: Dënoj diskreditimin politik të komisionit
Kryetari i LSDM-së,Venko Filipçe, dënoi diskreditimin politik dhe politizimin e Komisionit historik. Vlerëson se përfshirja e ekspertëve ndërkombëtarë mund të jetë zgjidhje e mirë, për të eliminuar ndikimet politike.
“Këtu për politikën nuk ka vend. Me politizimin apo me tentimet për diskreditim politik ne gërmojmë thelbin e procesit të tërësishëm dhe në mënyrë serioze i diskreditojmë ata politikanë të cilët atë e bëjnë. Diskreditohet ekspertiza e anëtarëve që punojnë në atë Komision, ndërsa aty punojnë profesionistë nga ajo fushë. Vlerësoj se politika dhe politikanët duhet të ndihmojnë me atë që ndoshta do të iniciojnë model shtesë p.sh. ekspertë të huaj, që e praktikojnë shtete evropiane.”, - u shpreh kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe.
Komisioni i përbashkët multidisiplinar ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, ka për qëllim që të zgjidhë mosmarrëveshjet historike mes dy vendeve.
FLORIJE KAMBERI
