Maqedoni

Rritet numri i personave me depresion, Psikologët: Trajtimi në kohë shëron pacientët

12.09.2024 15:20

Depresioni është nga çrregullimet psikologjike apo problemet më të mëdha të shëndetit mendor si globalisht edhe lokalist...

Depresioni është nga çrregullimet psikologjike apo problemet më të mëdha të shëndetit mendor si globalisht edhe lokalist, thotë psikologja, Sumea Ramadani. Njëherit thekson se numri i personave me depresion në vend është në rritje, por me detektim dhe trajtim në kohë depresioni shërohet plotësisht dhe evitohen gjendjet e palakmueshme, shpeshherë dhe fatale. 
 
“Padyshim që është në rritje, siç e ceka edhe globalisht edhe lokalisht, numri i personave që paraqiten tek profesionistët e shëndetit mendor me depresion janë të mëdha. Depresioni ka edhe forma të ndryshme të tregimit të fytyrës së tyre, është depresioni veror, dimëror. Janë disa lloje të ndryshme ku është me rëndësi të detektohet mirë burimi i depresionit që nga ai burim pastaj të intervenohet dhe të trajtohet.”, - deklaroi psikologja klinike, Sumea Ramadani. 
 
Psikologët thonë që shenjat e depresionit janë të ndryshme duke filluar nga izolimi i pacientëve, humbja e oreksit deri te shkëputja e aktiviteteve sociale.
 
“Pasojat e depresionit ose simptomat e depresionit janë izolimi, humbja e interesit për aktivitete sociale dhe meqenëse njeriu është qenie sociale dhe e kemi të patjetërsueshme interaktivitetin me shoqërinë në mënyrë që të mbijetojmë dhe në momentin kur jemi në depresion aktivitete shoqërore dëshirat zhduken, personi izolohet dhe kjo pastaj bie në pah me dhimbje trupore, me dhimbje psikike të ndryshme, pra izolimi humbja e apetitit, mosvullneti për jetë, pamundësia për të ëndërruar.”, - theksoi psikologja klinike, Sumea Ramadani. 
 
Sipas të dhënave të Klinikës së Psikiatrisë, një në tetë njerëz në mbarë botën përballet me vështirësi të shëndetit mendor. Adoleshentët janë një kategori veçanërisht vulnerabël dhe sipas të dhënave nga hulumtimet më të fundit në vend, 29.2% e të rinjve kanë simptoma klinike të depresionit, ndërsa 23.7% kanë simptoma klinike të ankthit në periudhën pas pandemisë KOVID. Një e treta e nënave vuajnë nga simptomat e depresionit, ndërsa 28% e tyre përjetojnë ankth në periudhën pas pandemisë Kovid-19.
 
VLORA LATIFI TOPOJANI