Maqedoni
Tensionet në komunën e Vrapçishtit, Mickoski: Opozita po nxit destabilizim
12.09.2024 15:34
Edhe pse ishin paralajmëruar protesta para komunës së Vrapçishtit, ata nuk u mbajtën...

Edhe pse ishin paralajmëruar protesta para komunës së Vrapçishtit, ata nuk u mbajtën. Situata ka qenë e qetë, ndërsa komuna ka vazhduar punën normalisht. Punimet në afërsi të Kishës në Toplicë ngelin të ndërprera, ndërkohë që akuzat dhe përplasjet politike për këtë gjendje kanë vazhduar edhe sot. Kryeministri Hristijan Mickoski vlerëson se tensionet e tilla janë incidente të izoluara të shkaktuara nga persona, që sipas tij, kanë frikë nga përgjegjësia.
“Apeloj për qetësi të këtyre situatave kudo, do të ketë situate të tilla, shumë para janë vjedhur periudhën e kaluar, shumë të xhep-zbrazët u bënë milioner, të vetëdijshëm se më në fund do të përgjigjen. Mënyra e vetme që të shpëtojnë është të nxisin destabilizim dhe jo siguri përmes këtyre incidenteve të izoluara.”, - deklaroi kryeministri, Hristijan Mickoski.
Filipçe dënon nxitjen e tensioneve ndëretnike
Kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, tha se e dënon ashpër nxitjen e tensioneve ndëretnike për pikë politike.
“Unë përsëri e dënoj ashpër nxitjen e tensioneve ndëretnike me qëllim që të shfrytëzohen për ndonjë pikë politike. Dhe vlerësoj se në rastin konkret, institucionet duhet përfundimisht ta zbardhin rastin, të dalë në sipërfaqe nëse ato veprime kanë ndonjë prapavijë politike ose jo.”, - theksoi kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe.
Kujtojmë se incidenti në komunën e Vrapçishtit ndodhi pasi u ndërprenë punimet në afërsi të Kishës në Toplicë, si shkas se ato po kryhen pa leje përkatëse dhe se po bëhet uzurpimi i një pjese të rrugës. Për shkak të eskalimit të situatës brenda objektit të komunës së Vrapçishtit, tentimit për t’u futur me dhunë në zyrën e kryetarit të komunës Isen Shabani, zyrtarët policor kanë arrestuar dy persona nga Gostivari, ndaj të cilëve MPB-ja kumtoi se do të ngritë parashtresa përkatëse sipas nenit 14 të Ligjit për kundërvajtje për prishje të rendit dhe qetësisë publike.
ARMEND MURSELI
