Maqedoni
Kuvend, Ligji për “Branitellat” s’kalon
12.09.2024 15:51
Ligji për të ashtuquajturit “Branitella” nuk mori dritë jeshile nga komisioni kuvendor...

Ligji për të ashtuquajturit “Branitella” nuk mori dritë jeshile nga komisioni kuvendor. Nga VLEN-i akuzojnë se BDI-ja, LSDM-ja dhe “E Majta” i kanë bashkuar forcat me qëllim që të realizohen paralajmërimet për destabilizim. Deputeti nga radhët e koalicionit VLEN, Adnan Azizi, u zotua se derisa ky koalicion të jetë pjesë e shumicës, asnjëherë nuk do të mund të kalojë ligji i LSDM-së për “Branitellat”, pa u rregulluar në mënyrë ligjore edhe statusi i UÇK-së.
“Derisa ne jemi aty, ky ligj ose do të shkojë në pako bashkë me zgjidhjen e statusit të ushtarëve të UÇK-së, familjeve të dëshmorëve dhe invalidëve të luftës ose nuk ka asnjë shans për të kaluar. Është vetëm një mundësi për të kaluar, nëse BDI-ja ka futur në skenarë edhe Ilire Dautin, që e ka plotësisht mundësinë për ta ndaluar këtë ligj në komision. Në rast se e ka futur në skemë, atëherë do të kalojë në komision dhe do të vazhdojë procedimi. Por, ky ligj asnjëherë nuk do të kalojë.”, - deklaroi deputeti i VLEN-it, Adnan Azizi.
Ligji i “branitellave”, i propozuar nga LSDM-ja, si edhe herët e tjera, shkaktoi debate të shumta politike në opinion, por epilogu ishte i ngjashëm si në rastet paraprake.
FLUTURA LATIFI
