“Bomba” e XXV e LSDM-së, Jankullovska: sopotasit u burgosën pa faj

23.04.2015 17:52

“Bomba” e 25 e opozitës, e publikuar në Veles, kishte të bënte me rastin e Sopotit...

Në një bisedë midis ministres së Brendshme, Gordana Jankulloskës, dhe drejtorit të DSK-së, Sasho Mijalkovit, konfirmohet pafajësia e të akuzuarve në këtë rast dhe kërkesa e BDI-së që të zgjidhet problemi i tyre. Mijalkov dhe Jankulloska bëjnë kalkulime se si ta zgjidhin këtë rast pa u paguar dëmshpërblim personave të pafajshëm që kishin mbajtur mbi 10 vite burg.

“E mbani mend kur Jankullovska dhe Gruevski distancoheshin nga ndërhyrja politike në rastin “Sopot”, por ata janë të përfshirë në këtë rast. Atë që do të dëgjoni është një konfirmim klasik se vendimet gjyqësore sillen në konsultim me Gruevskin”- deklaroi Pançe Ivanov nga LSDM.

Në “bombën” e sotme të LSDM-së dëgjohet ministrja Jankullovska, e cila thotë se kjo çështje duhet zgjidhur disi me falje, me uljen e dënimit apo me lëshim para kohe. Jankullovska pranon se në bisedat paraprake BDI-së nuk i është dhënë asnjë premtim konkret, por vetëm është rënë dakord në parim se do të diskutohet për këtë rast. Por, në momentin e bisedës mes saj dhe Mijallkovit, Jankullovska pranon se tani duhet mbajtur fjala dhe nuk mund të shtyhet më tej mbajtja në burg e të pafajshmëve. Sipas Mijallkovit, një gjë e tillë nuk dëmton VMRO-në, pasi ky rast ishte i kohës së LSDM-së.

S. D.m.th. ato kanë gjurmuar, kanë hetuar dhe tani dëshirojnë që t`i tërheqin akuzat?

Ato kanë qëndruar në burg edhe ashtu edhe kështu.

G. Kanë qëndruar...

S. Mirëpo ajo do të jetë nga ana tjetër, d.m.th. ne i kemi gjykuar, janë burgosur njerëzit...

G. Aty është problemi.

S. Që kanë qëndruar në burg.

G. Dhe plus do të kërkojnë dëmshpërblim, për të gjitha ato punë, aq kohë.

S. Jo, marrëveshja do të ishte të mos padisin.

G. T`i bisedo, nëse mundet diçka ashtu në mes. Nuk e di se në sa kohë janë gjykuar, moti kohë janë aty.

S. 14 vite janë gjykuar.

G. E pra çka, kanë ende kohë, ose ndonjë falje të jetë.

S. Edhe katër vite, ha, ha, ha.

G. Mirë de, e di, nuk janë pak 10 vite të qëndrosh në burg, ha, ha, ha... Si dhjetë si njëzet kanë qenë, nuk i numëron pas 10. Nëse mund diçka me falje, me uljen e dënimit, me lëshim para kohe, diçka ashtu të bëhet.

Gjithsesi, edhe pse e pranojnë se në burg mbahen njerëz të pafajshëm, Jankullovska dhe Mijallkov sërish shohin mënyrën se si të sjellin një vendim që do ta nxirrte sistemin gjyqësor të larë, pasi të dy pranojnë se për opinionin nuk është mirë që në kohë të VMRO-së të sillet vendimi për pafajësinë e njerëzve që mbahen në burg prej dhjetë vitesh, edhe pse pranojnë se rasti është i montuar nga LSDM. Edhe pse përpiqen të fitojnë kohë ndaj kërkesës së vazhdueshme të BDI-së, më në fund Jankullovska dhe Mijallkov pranojnë se duhet të lëshojnë pe ndaj kërkesës për lirimin e të burgosurve të rastit “Sopoti”.

Por, gjithsesi, vendimin kryesor për procesin gjyqësor, sipas audio-xhirimeve, duhet ta marrë vetë kryeministri Gruevski.

Sulejman Sulejmani, Hasan Klaiqi, Samet Lutfiu, Shaban Limani, Shaqir Sulejmani, Bashkim Ukshini, Musa Klaiqi, Zenel Klaiqi, Selman Jahiu, Samet Limani dhe Afrim Ukshini janë 11 personat e akuzuar për rastin e “Sopotit”, të cilëve iu shqiptua dënim me156 vite burg, për shkak të incidentit që ndodhi në vitin 2003, me ç`rast nga shpërthimi i një mine në afërsi të fshatit Sopot të Kumanovës, afër kufirit me Serbinë, humbën jetën dy ushtarë polak të NATO-s dhe një civil.

Pesë prej tyre vuajtën disa vite burg në burgun e Idrizovës, ndërsa në mungesë u dënuan edhe 6 të tjerë.  Dëshmitari i mbrojtur, Ramadan Bajrami, dëshmoi se ka dhënë dëshmi të rrejshme, pasi ka qenë i detyruar me dhunë që të dëshmojë kundër këtij rasti, ndërsa reagim për shkelje të të drejtave të njeriut në këtë rast kishte edhe nga Avokati i Popullit. Pas vendimit për rigjykim, ky rast vazhdon ende të zvarritet. (Sanije Kasami, TVM2)