Maqedoni

Propozim-ligji për qeverisje lokale, deputetët diskutuan fatin e tri komunave

12.09.2024 16:06

Deputetët shterën debatin për propozim-ligjin për vetëqeverisje lokale, por pa e finishuar me votim në mungesë kuorumi...

Deputetët shterën debatin për propozim-ligjin për vetëqeverisje lokale, por pa e finishuar me votim në mungesë kuorumi, gjegjësisht të 80 votave të nevojshme, si dhe votimit të dyfishtë. Ligji u mundëson tre komunave Saraj, Gostivar dhe Aerodrom të udhëhiqen nga ushtrues detyre deri në zgjedhjet e ardhshme lokale. Debati vijoi me kundërshtime të shfaqura nga deputetët e LSDM-së dhe “Të Majtës”. Ata konsideruan se qytetarëve u shkurtohet e drejta demokratike që të zgjedhin kryetarin në komunën e tyre, si pasojë e dakordimeve politike midis pushtetit dhe BDI-së.
 
“Nëse arsyeja është për të kursyer, atëherë nuk mund që në të njëjtën kohë të kemi katër ministri të reja, për të cilat nevojiten financa, ndërkaq nga ana tjetër qytetarëve t’iu shkurtohet e drejta kushtetuese dhe demokratike të zgjedhin kryetarët e tyre.”, - deklaroi deputeti i LSDM-së, Dimitar Kovaçevski.
 
“Përse tani kur Timço Mucunski është ministër i Punëve të Jashtme, qytetarët nuk kanë të drejtë sërish të zgjedhin kryetar komune? Ju po goditni të drejtën kushtetuese të qytetarëve që të zgjedhin përfaqësuesit e tyre në zgjedhje demokratike.”, - deklaroi deputeti i “Së Majtës”, Amar Mecinoviq. 
 
Nga VMRO – DPMNE-ja s’lëvizin nga qëndrimi se i gjithë ligji është ngritur për të kursyer para nga buxheti.
 
“Është më mirë që ato dy, tre milionë euro të cilat do t’i shpenzonim për zgjedhje, të cilat do të vlejnë vetëm gjashtë muaj, t’i investojmë në komuna, në shkolla, kopshte fëmijësh, në objekte kapitale, se sa t’i hedhim këtu.”, - theksoi koordinatori i VMRO – DPMNE-së, Nikolla Micevski.
 
Për arritjen e 80 votave të nevojshme për miratimin e ligjit, vendimtare do të jenë votat e deputetëve të “Frontit Evropian”. Ligji i propozuar nga shumica parlamentare do të parandalonte organizimin e zgjedhjeve të parakohshme në Saraj, Gostivar dhe Aerodrom në fillim të vitit të ardhshëm, pasi në tetor të vitit të ardhshëm vijojnë zgjedhjet e rregullta lokale. Këto tre komuna, menaxhohen nga ushtrues detyre, pasi dy kryetarë pas zgjedhjeve parlamentare morën funksione ministrash, ndërkaq i treti u zgjodh deputet.
 
MERAL ISMAILI