Botë

Beteja të reja në Donetsk, ShBA-ja dhe Britania ndajnë 1.5 miliardë dollarë për Ukrainën

12.09.2024 17:10

Rusia dhe Ukraina kanë lëshuar raporte për automjete, avionë dhe pajisje ushtarake të shkatërruara gjatë betejave në Donetsk...

Rusia dhe Ukraina kanë lëshuar raporte për automjete, avionë dhe pajisje ushtarake të shkatërruara gjatë betejave në Donetsk dhe operacioneve në Detin e Zi. Sulme të reja u regjistruan gjithashtu në zonat e populluara dhe infrastrukturën civile, ku ka edhe të lënduar. Derisa situata në front po ashpërsohet, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britania e Madhe kanë premtuar ndihmë shtesë për Ukrainën prej gati 1.5 miliardë dollarësh, ku Uashingtoni do t’i japë Kievit 700 milionë dollarë, ndërsa Londra 600 milionë paund.
 
“Ne mbetemi plotësisht të përkushtuar ndaj fitores së Ukrainës, jo vetëm për të siguruar që ajo të mund të mbrohet, por që të mund të qëndrojë në këmbët e veta të forta, ushtarakisht, ekonomikisht, demokratikisht, për ta siguruar rrugën qe e ka zgjedhur vet populli ukrainas, e që është drejt një integrimi më të madh në komunitetin euroatlantik, duke përfshirë Bashkimin Evropian dhe NATO-n.”, - deklaroi sekretari shtetëror i ShBA-së, Antoni Blinken.
 
Ministria e Jashtme britanike thotë se ndihma për Ukrainën nuk është vetëm për dimrin e ardhshëm, por për një partneritet 100-vjeçar. Zyrtarët britanik janë shprehur se janë të shqetësuar për mbështetjen që Rusia gëzon nga Irani, Kina dhe Koreja e Veriut.
 
“Tani mund të njoftoj se do të dërgojmë edhe qindra raketa shtesë për municion artilerie dhe më shumë automjete të blinduara deri në fund të vitit. Nuk është çështja vetëm tek liria e Ukrainës që është në rrezik, por siguria e Evropës në tërësi, dhe siguria e Perëndimit.”, - theksoi sekretari i shtetit për Punët e Jashtme i Mbretërisë së Bashkuar, Dejvid Lami. 
 
Presidenti ukrainas Zelenski priti samitin ndërkombëtar për Krimenë në Ukrainë. Autoritetet në Kiev u kanë kërkuar sërish aleatëve perëndimorë që t'i lejojnë ata të synojë Ukraina më thellë në territorin rus me raketat që ata kanë blerë pikërisht nga aleatët Perëndimorë, ndërsa është vendosur që kjo kërkesë tani të shqyrtohet në Uashington.
 
“Heqja e kufizimeve për përdorimin e armëve me rreze të gjatë është e rëndësishme në kontekstin e raporteve për transferimin e mundshëm të raketave balistike në Rusi nga Irani. Armiqtë e botës së lirë nuk kanë asnjë dyshim. Ata veprojnë dhe krijojnë kërcënime të papranueshme për të gjithë Evropën.”, - u shpreh ministri i Punëve të Jashtme të Ukrainës, Andrij Sibiha.
 
Presidenti i ShBA-së, Bajden, ka lejuar Ukrainën të lëshojë raketa të furnizuara nga ShBA-ja përtej kufirit në Rusi për vetëmbrojtje, por e ka kufizuar kryesisht distancën për shkak të shqetësimeve për përshkallëzimin e mëtejshëm të konfliktit.
 
FITIM KRYEZIU