“Procesi-Brdo”, perspektiva evropiane në fokus
Perspektiva evropiane e vendeve të Ballkanit perëndimor duke u fokusuar në sigurinë e rajonit, reformat e nevojshme politike, socio-ekonomike dhe institucionale, si bazë për integrim sa më të shpejtë në BE, janë temat që kanë mbledhur në një takim të përbashkët shefat e diplomacive të vendeve të Ballkanit perëndimor dhe disa vendeve anëtare të Bashkimit Evropian në konferencën “Procesi-Brdo”, që u zhvillua në Kranj të Sllovenisë...

Ministrat e Jashtëm, ku po merr pjesë edhe eurokomisari për zgjerim, Johanes Han, kanë konstatuar se bashkëpunimi rajonal përbën instrumentin kryesor për stabilitetin e rajonit, ndërsa ministri i Jashtëm i Maqedonisë, Nikolla Popovski, i cili gjithashtu po merr pjesë në konferencë, ka kërkuar përshpejtimin e integrimit për vendet e rajonit.
“Të përcjellim porosinë se sa është e mundur më shpejt duhet të realizohet integrimi i vendeve kandidate potenciale për në BE para se të bëhet vonë, sepse është gabim gjykimi se punët qëndrojnë dhe mund të lihen një kohë të gjatë në pauzë”- deklaroi ministri i Jashtëm, Nikolla Popovski.
Në pjesën e parë të sesionit, ministrat janë përqendruar në shqetësimet e përbashkëta që kanë të bëjnë me sigurinë dhe stabilitetit politik të rajonit, ndërsa kanë diskutuar edhe për luftën kundër terrorizmit.
Ndërkohë, në pjesën e dytë të takimit ata kanë folur rreth bashkëpunimit rajonal dhe mundësitë konkrete të zhvillimit, si dhe për perspektivat e të rinjve nga vendet e Ballkanit perëndimor. Në margjinat e konferencës ministrat kanë zhvilluar takime bilaterale. (Naim Ramadani, TVM2)
