Maqedoni

Bastisja në Shkup, Strumicë e Gostivar, hetime për fshehje tatimi, pastrim parash

13.09.2024 14:25

Prokuroria Themelore Publike dhe policia vazhdojnë procedurën parahetimore...

Prokuroria Themelore Publike dhe policia vazhdojnë procedurën parahetimore ndaj një grup subjektesh juridike nga Shkupi, Strumica dhe Gostivari, të cilët dyshohen se kanë bërë mashtrim tatimor, respektivisht kanë fshehur tatimet dhe kanë bërë pastrim parash.
 
Pas bastisjeve të disa subjekteve juridike, policia dhe inspektorati kanë hyrë edhe në disa shtëpi të të dyshuarve dhe po punojnë në grumbullimin e provave.  Për shkak të procedurës parahetimore, autoritet nuk japin detaje më të hollësishme. Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, tha vetëm se po bëhet fjalë për shuma milionëshe me të cilën është dëmtuar buxheti i shtetit.
 
“Ka dyshime fillestare se po bëhet fjalë për një krim epik, i cili ka dëmtuar buxhetin e RMV-së, respektivisht janë dëmtuar paratë e qytetarëve. Informacionet fillestare tregojnë se po bëhet fjalë për shuma milionëshe të cilat janë si pasojë e disa veprave kriminale të kryera, fshehje tatimesh, mashtrim tatimor dhe pastrim parash. Për shkak të procedurës parahetimore, nuk mund të jap detaje më të hollësishme, pasi që e dini se unë në parim respektoj deri në  maksimum supozimin e pafajësisë.”, - deklaroi ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski.
 
Gjatë bastisjeve janë siguruar dokumente dhe shkresa elektronike, të cilat do të jenë lëndë e përpunimit dhe analizës, me qëllim të sigurimit të provave materiale për nevojat e procedurës së mëtejshme parahetimore, thuhet në kumtesën zyrtare të PThP-së.
 
REXHEP QAMILI