Maqedoni
Kthehet në rigjykim lënda për vulat e ASh-së, Taravari: Partia kthehet në anëtarësinë e saj
13.09.2024 13:07
Gjykata e Apelit në Gostivar ka kthyer në rigjykim lëndën e partisë politike...

Gjykata e Apelit në Gostivar ka kthyer në rigjykim lëndën e partisë politike Aleanca për Shqiptarët dhe ka pranuar ankesat e dorëzuara nga ana e përfaqësuesit ligjor të Arben Taravarit. Kryetari i ASh-së, Arben Taravari, ka deklaruar se me këtë vendim, partia mbetet e shumicës së anëtarëve.
“Gjykata e Apelit e kthen lëndën në rigjykim pas vendimit paraprak që solli Gjykata Themelore në Tetovë, ku ajo zvarritej dhe u ndërruan disa gjykatës derisa u mor edhe vendimi skandaloz me presion nga ish-ministri i Drejtësisë, Krenar Lloga, që vulat e partisë t’i takojnë fraksionit që iu bashkua BDI-së. Duke marrë parasysh dëshmitë e deponuara pranë Gjykatës së Apelit në Gostivar, vendimi final pritet që të jetë në favor tonin dhe partia së bashku me vulat të mbeten te kryetari legjitim i saj, Arben Taravari.”, thuhet në njoftimin me shkrim të ASh-së, krahu i Taravarit.
Lloga: Kjo çështje nuk ka përfunduar
Ndaj këtij vendimi ka reaguar ish-ministri i Drejtësisë, Krenar Lloga, duke thënë se kjo çështje nuk ka përfunduar.
“Edhe pas presionit të Taravarit dhe padronit të tij, ai nuk ka fituar lëndën rreth “vulave të ASh-së”. Lënda rreth legjitimitetit të Aleancës për Shqiptarët është kthyer në rigjykim në Gjykatën Themelore të Tetovës.”, ka reaguar Lloga në rrjetin social Fejsbuk.
Kontesti mbi pronësinë dhe vulat e ASh-së nisi kur Taravari vendosi t’i bashkohet koalicionit VLEN dhe të mos jetë pjesë e “Frontit Evropian”. Gjatë procesit të gjykimit në Tetovë u ndryshuan disa gjykatës.
Pas kësaj, Taravari akuzoi për presion ndaj gjyqësorit, ndërsa Sela i ishte përgjigjur se po manipulon për të arsyetuar vendimin e tij të gabuar për t’u rreshtuar aso kohe me opozitën shqiptare.
SANIJE DURAKU
