Maqedoni

Kredia nga banka hungareze, Komisioni për Financa dha mbështetje, mungoi LSDM-ja

13.09.2024 15:37

Propozim-ligji për huamarrje në vlerë prej 500 milionë euro tek banka hungareze Eksport – Import...

Propozim-ligji për huamarrje në vlerë prej 500 milionë euro tek banka hungareze Eksport – Import, kaloi komisionin parlamentar për financim dhe buxhet. Ligji i propozuar tani kalon në procedurë të mëtejme parlamentare. Seancën e komisionit e drejtoi deputeti i VMRO-DPMNE-së, Bojan Stojanovski, pasi seancën për 24 orë nuk e thirri kryetarja e komisionit, Sanja Llukarevska nga radhët e LSDM-së.
 
Si pasojë e situatës së krijuar, seancën e thirri kryeparlamentari Gashi, duke caktuar deputetin Stojanovski që ta drejtojë të njëjtën. Debatin e bojkotuan deputetët e LSDM-së, pasi nuk u përfillën kërkesat e tyre që propozim ligji të tërhiqet dhe diskutohet në procedurë të rregullt. Deputeti Stojanovski tha se mosprezenca e socialdemokratëve është kontradiktore me veprimet e tyre.
 
“Një pjesë e këtyre financave do të përfundojnë në projekte që deri dje të gjitha komunat i kanë dorëzuar në Ministrinë e Vetëqeverisjes Lokale. Ata nuk janë këtu për të votuar për kredinë, pasi paska qenë korruptive, por në mesin e të parëve që kanë dorëzuar projekte janë komuna e Dellçevës, Probishtipit, Strumicës, Vallandovës, Kriva Pallankës, Krushevës, por kredia paska qenë korruptive. Paradoksi i dytë është se me këtë kredi do të rriten pensionet, ndërkaq ata të parët votuan rritjen e pensioneve.”, - deklaroi deputeti i VMRO – DPMNE-së, Bojan Stojanovski. 
 
Propozim-ligjin para deputetëve e sqaroi zëvendësministri i Financave, Nikollçe Jankullovski.  
 
“Kredia do të tërhiqet përnjëherë. Afati i shlyerjes së kredisë është 15 vjet me grejs, periudhë prej tre vitesh. Kamata është fikse prej 3.25%.”, - theksoi zëvendësministri i Financave, Nikollçe Jankullovski.
 
Gjysma e huamarrjes 250 milionë euro do të përfundojë në projekte kapitale të komunave për përmirësimin e shërbimeve publike dhe infrastrukturë, ndërkaq 250 milionë të tjera në zhvillim, rritje ekonomike dhe vende të reja të punës në sektorin privat.
 
MERAL ISMAILI