Botë

Konflikti ukraino-rus drejt përshkallëzimit, Putini paralajmëroi rrezikun e një konflikti me NATO-n

13.09.2024 15:55

Ka filluar të përshkallëzohet debati rreth çështjes se a do të përdorë Ukraina...

Ka filluar të përshkallëzohet debati rreth çështjes se a do të përdorë Ukraina raketa balistike me rreze të gjata në territorin rus.  Kryeministri britanik në Uashington realizoi një takim me presidentin amerikan, pasi që Londra dhe Parisi kishin lejuar që Ukraina të mund ta përdorë armatimin e tyre në territorin rus.
 
Por, për të parandaluar përshkallëzimin e konfliktit, ShBA-ja nuk do të lejojë Ukrainën të përdorë raketa balistike me rreze të gjata veprimi nga Britania dhe Franca, të cilat Kievi i përdor në zonat kufitare me Rusinë.
 
ShBA-ja, Britania e Madhe dhe Franca porositën presidentin rus Vladimir Putin, se ai e ka filluar luftën dhe të njëjtën mund ta përfundojë në çdo moment, por presidenti rus tërhoqi vërejtjen se përfshirja e vendeve të Evropës dhe ShBA-së në konfliktin ukraino-rus do ta ndryshojë në tërësi thelbin e këtij konflikti. Putini po ashtu ka theksuar se Britania e Madhe dhe Shtetet e Bashkuara do të jenë në luftë me Rusinë dhe pjesëmarrja e drejtpërdrejt e vendeve perëndimore në konflikt do të ndryshojë thelbin e tij.
 
“Nëse merret ky vendim, nuk do të thotë asgjë më pak se pjesëmarrje e drejtpërdrejtë e vendeve të NATO-s, Shteteve të Bashkuara dhe vendeve evropiane në luftën në Ukrainë. Kjo është pjesëmarrja dhe kyçja e tyre e drejtpërdrejtë në konflikt, dhe kjo natyrisht se ndryshon ndjeshëm thelbin dhe vetë natyrën e konfliktit. Do të thotë që vendet e NATO-s, ShBA-ja dhe vendet evropiane po luftojnë kundër Rusisë, ku ne do të marrim vendimet e duhura bazuar në kërcënimet që do të na krijohen.”, - deklaroi presidenti i Federatës Ruse, Vlladimir Putin. 
 
Për të përfunduar lufta në Ukrainë, bota do të duhet të përballet me disa çështje shumë të ndjeshme, theksoi nga ana tjetër presidenti ukrainas, Zelenski.
 
“Të gjithë duhet të jenë të sinqertë, para së gjithash me veten, sepse është shumë e lehtë të dënosh raketën ruse që fluturon në shkollën tonë. Por, nuk është aq e lehtë të pranosh se kjo raketë mund të ketë pjesë nga Amerika, Evropa, Azia, nga çdo pjesë e botës.”, - theksoi presidenti i Ukrainës, Volodimir Zelenski.
 
Kina, e cila vazhdimisht është e kritikuar për shkak lidhjeve të cilat i mban me Rusinë, përsëri apeloi palët e kyçura në këtë konflikt, që të ulen në tavolinën e bisedimeve. 
 
“Nëse uleni dhe bisedoni një ditë më herët, ajo nënkupton se edhe qetësia në të gjitha rajonet e përfshira do të vijë një ditë më herët. Zgjedhja e këtyre pikave të nxehta, siç është lufta mes Ukrainës dhe Rusisë dhe konflikti mes Izraelit dhe Palestinës, si dhe promovimi i dialogut për zgjidhje politike është dalja e vetme nga kjo situatë.”, - u shpreh ministri i Mbrojtjes së Kinës, Dong Jun. 
 
Ministria e Mbrojtjes e Rusisë, ka konfirmuar se forcat ruse kanë nisur një kundërofensivë kundër trupave ukrainase në rajonin e Kurskut. Luftimet vazhdojnë në rajone të tjera dhe të dyja palët po sulmojnë njëra-tjetrën edhe me dronë. Ndërkohë, BE-ja ka zgjeruar sanksionet individuale kundër rusëve që i konsideron përgjegjës për luftën në Ukrainë. (Fitim Kryeziu, TVM2)